Ngjarjet e ditës së sotme, 8 maj 2023
RTKlive
Këto janë ngjarjet e ditës së sotme, 8 maj 2023, nga politika, ekonomia, kultura e çështjet sociale. Për shumë nga këto ngjarje, RTK ju mbanë të informuar në edicionet e lajmeve, por dhe në RTKlive.com.
Nën përkujdesjen e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, Forumi Ekonomik i Vjenës (VET) mban konferencën me titull “Vienna Economic Talks – Prishtina Meeting 2023”. (Hotel “Emerald”, Prishtinë, ora 09:00).
Ministri për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiq, merr pjesë në vënien e gurthemelit të shtëpisë për familjen e Senad Hotovicit në fshatin Dobrushë, komuna e Istogut. (Fshati Dobrushë, Istog, ora 09:00).
Në 23-vjetorin të vrasjes së Ekrem Rexhës – Komandant Drinit, kryetari i Prizrenit, Shaqir Totaj bën homazhe në varrezat e dëshmorëve në Landovicë. Ndërsa, në orën 11:00 viziton memorialin e tij që ndodhet para Shtëpisë së Bardhë në Prizren. (Landovicë-Prizren, ora 10:00 - 11:00).
Mbahet marshi tradicional “Shtigjeve të Lirisë-Mërgimi“, në shtegun ku kanë kaluar Logjistika e parë e organizuar e UÇK-së, e cila është trasuar nga Heroi i Kosovës Gjeneral Ilir Konushevci. (Prifç -Viçidol,ora 10:00).
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, pret në takim kryetarin e Parlamentit të Austrisë, Wolfgang Sobotka. Pas takimit mbahet konferencë për medie. (Ndërtesa e Kuvendit ora 11:30)
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca dhe kryetari i Parlamentit të Austrisë, Wolfgang Sobotka marrin pjesë në “Punëtorinë për Demokraci – DEMOS-ti” dhe bashkëbisedojnë me nxënës filloristë. (Holli i Kuvendit, ora 12:30).
Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna pret në takim kryetarin e Odës Ekonomike të Maqedonisë, Branko Azeski. (Objekti i Odës Ekonomike të Kosovës, ora 13:00).
Në kuadër të Ditëve te Gjuhës Gjermane hapet ekspozita e re udhëtuese e Institut Goethe “Universum. Mensch.Intelligenz”. (Departamenti i Fakultetit të Shkencave Natyrore, Universiteti i Prishtinës, ora 18:00).
Mbahet festivalet më prestigjioz ReMusica Festival 2023. (Kisha katolike ‘Shën Ndou’, ora 20:00).























