Rrahjet e nxënësve, banorët kërkojnë zhvendosjen e shkollës|Video
Hana Marteti/ RTK
Banorët e lagjes “Lakrishtë” në Prishtinë ankohen për dukuri negative në shkollën e mesme “Shtjefën Gjeçovi”. Rasti i fundit flet për një rrahje mes nxënësve të kësaj shkolle. Madje, kjo nuk është hera e parë që raste të tilla ndodhin në këtë shkollë, e cila gjendet në afërsi të lagjes “Lakrishtë”. Banorët e kësaj lagjeje këtë, përveç që po e dënojnë, kërkojnë edhe zhvendosjen e shkollës në një lokacion tjetër. Policia nuk ka dhënë informacione për këtë rast.
Banorët e lagjes thonë që kjo nuk është hera e parë që nxënësit e kësaj shkolle rrihen mes vete.
“Para pak ditësh janë therë këtu në lagje këta nxënës, pastaj edhe janë rrahur me shufra hekuri. Ne si banorë nuk po ndihemi të sigurt, as si prindër nuk po mundemi me i nxjerrë fëmijët në platonë që është e dedikuar për ta”, tha Seid Rrahmani, banor i kësaj lagjeje.
Banorët thanë për RTK se kërkojnë që, për siguri, dera e kësaj shkolle të mos ketë qasje në lagje.
Drejtori i shkollës “Shtjefën Gjeçovi”, konsideron se përleshja ndërmjet nxënësve ka ndodhur për arsye jo të rëndësishme.
“Pas mësimit janë përla për arsye banale”, tha Blerim Gërvalla, drejtor i Shkollës “Shtjefën Gjeçovi”.
Gërvalla shtoi se këto përleshje nuk janë të rralla në këtë shkollë dhe krejt kjo ka të bëjë me strukturën jo të mirë të nxënësve.
Psikologët rreshtojnë disa nga faktorët që ndikojnë në shtimin e dhunës në shkolla.
“Janë disa faktorë që ndikojnë në dhunë si ankthi, konfliktet e vazhdueshme si dhe dhuna nëfamilje”, tha Fjolla Hadri, psikologe.
Policia e Kosovës ende nuk ka reaguar për rastin në fjalë, edhe pse RTK u ka adresuar pyetje.
Gjithashtu RTK ka adresuar pyetje edhe në Ministrinë e Arsimit për një plan konkret kundër dhunës në shkolla.























