Osmani pritet në takim nga Presidenti i Universitetit të Harvardit
F. Sertolli / RTKlive
Gjatë qëndrimit në ShBA, Presidentja Vjosa Osmani është pritur në takim edhe nga Presidenti i Universitetit të Harvardit, Lawrence Bacow.
“Vërtet frymëzuese të dëgjosh për ndikimin e jashtëzakonshëm që kanë pasur Universiteti i Harvardit dhe studentët e tij në formësimin e të ardhmes së akademisë në SHBA dhe për fuqizim e mendjeve brilante nga e gjithë bota”, theksoi Presidentja Osmani.
Në një njoftim për media, thuhet se Presidentja Osmani ishte folëse kryesore në konferencën ndërkombëtare “Global Empowerment Meeting” të organizuar nga Universiteti i Harvardit në Cambridge, Massachusetts, nën temën “Rritja në një botë të gjelbër” (Growing in a Green World).
Po ashtu, gjatë qëndrimit në ShBA, Presidentja Vjosa Osmani ka takuar edhe një grup studentësh shqiptarë në Universitetin e Harvardit.
Presidentja Osmani ka thënë se në takim me studentët shqiptarë është njoftuar me ambiciet dhe kontributin e tyre në këtë universitet.
“Mirënjohëse që dëgjova për rrugëtimet dhe shpresat e tyre. Vendosmëria dhe përkushtimi i tyre për të bërë ndikim pozitiv është vërtetë frymëzues”, ka shkruar Presidentja Osmani.























