Arsimimi bashkon të rinjtë e komuniteteve në Mitrovicë|Video
BKT
Foto: RTKlive
Kosovë

Arsimimi bashkon të rinjtë e komuniteteve në Mitrovicë|Video

Edina Avdiu/RTK

Megjithëse në veri shumë shpesh situata paraqitet e tensionuar, qytetarët andej e këndej urës së Ibrit gjejnë forma të ndryshme për të bashkëjetuar e bashkëvepruar. Ka kohë që nxënësit e të gjitha komuniteteve ndajnë të njëjtën klasë tash e disa muaj në një Kolegj biznesi në Mitrovicë. Për këto materiale, RTK ka bashkëpunuar me administratën e Kombeve të Bashkuara në Kosovë.

Ani pse kjo urë është bërë simbol i ndarjes së qytetit ndër vite, qytetarët e Mitrovicës gjejnë forma të ndryshme për të bashkëjetuar e bashkëvepruar në këtë qytet.

Arnesa Hadroviq, Blerina Deliu e Ilir Rexha ndajnë të njëjtën klasë tash e disa muaj.

 “Na ka ndihmuar shumë me u socializuar e të kemi kontakte me nacionalitete të ndryshme, për projekte por edhe si persona që të jemi më të lidhur me komunitetet e tjera, jo siç jemi mësuar vetëm me një komunitet”, thotë Arnesa Hadroviq.

 “Para IBCM kam pasur kontakt vetëm me komunitetin boshnjak pasi ata jetojnë edhe në pjesën jugore, ndërsa prej ardhjes në IBCM ka pasur edhe komunitete të tjera me të cilët kam kaluar mirë, bile ndoshta për shkak që kemi folur në gjuhën angleze shumë shpesh kam biseduar me ta dhe nuk e kam ditë që janë pjesë e ndonjë komuniteti”, tregon studenti Ilir Rexha.

Pavarësisht tensioneve e zhvillimeve politike në qytetin e tyre nder vite, këta studentë kanë thyer të gjitha barrierat duke u arsimuar e socializuar me njëri-tjetrin.

“Përpos mësimdhënies së rregullt kemi edhe aktivitete të tjera që do ti bashkojnë këta student edhe nga aspekti social, jashtë dyerve të klasës. Kemi filluar me vizita të përbashkëta pastaj edhe me mobilitete ku shkojnë bashkë e ndajnë edhe dhomën, studiojnë bashkë edhe në një shkollë tjetër”, rrëfen drejtoresha e IBCM, Mihone Kerolli.

Ndonëse vijnë nga komunitete të ndryshme e mund të mos e flasin mirë gjuhën e njëri-tjetrit, ata kuptohen dhe nuk kanë pasur asnjëherë telashe mes vete.

 “Normalisht kur qëndron me dikë të intereson se çfarë janë duke thënë, mundohesh me i kuptuar dhe normalisht të shtohet automatikisht interesimi për ta mësuar një gjuhë tjetër”, thotë një studente tjetër.

 “Pavarësisht se janë shumë të rinj kanë pasur dëshirë ta mësojnë edhe gjuhën e njëri tjetrit dhe të komunikojnë edhe në gjuhën e njëri tjetrit, madje shpeshherë ne i shohim gjatë komunikimit përdorin edhe ndonjë fjalë të gjuhëve qoftë shqip qoftë serbisht që mundohen ta krijojnë një afërsi pak më të madhe”, tregon drejtoresha e IBCM, Mihone Kerolli.

Në qytetin e Mitrovicës jetojnë dhe bashkëveprojnë qytetarë nga komuniteti shqiptar, serb e boshnjak.

 


MË SHUME NGA Kosovë