Drejtorit të "VisaMetric", Gjykata vendosi masën e dorëzanisë
Foto: RTKlive
Kosovë

Drejtorit të "VisaMetric", Gjykata vendosi masën e dorëzanisë

V. Thaçi / RTKlive

Gjykata Themelore e Prishtinës njofton se i është caktuar masa e sigurisë të pandehurit S.O. për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale “Mosekzekutimi i vendimeve gjyqësore” sipas KPRK-se, për rastin "Visametric".

Sipas njoftimit të Gjykatës Themelore të Prishtinës, gjyqtari i Procedurës Paraprake kërkesën e Prokurorisë Themelore, në Prishtinë, për caktimin e masës së paraburgimit për të pandehurin S.O. e ka refuzuar dhe ka aprovuar kërkesën e mbrojtësit të të pandehurit, ashtu që, të njëjtit, i ka caktuar masën e dorëzanisë në vlerë prej 15 mijë euro, si dhe, të njëjtit, i është konfiskuar dokumenti i udhëtimit – pasaporta.

Masa e dorëzanisë të pandehurit i caktohet konform nenit 177, paragrafi 1, nënparagrafi 1.1, 1.2, 1.3 të KPPRK-së.

“Nëse i pandehuri S.O. nuk i përmbahet masës së dorëzanisë, gjykata me aktvendim i cakton masën e paraburgimit, konform nenit 184, paragrafi 1 të KPPRK-së, si dhe mjetet e deponuara për dorëzani të derdhen në fondin e viktimave të krimit, konform nenit 179, paragrafi 1 të KPPRK-së”, thuhet në njoftim.

Ndryshe, drejtori i “Visametric” shtetas turk, u ndalua, një ditë më parë, për 48 orë për këtë vepër penale.

Ndërsa ditë më parë, Gjykata Komerciale ka marrë vendim që kompanisë “Visametric” t’i ndalohet që t’i detyrojë aplikantët të paguajnë shërbimin postar për kthim të pasaportës kur aplikojnë për viza në Ambasadën e Gjermanisë në Kosovë.


MË SHUME NGA Kosovë