Kurti: 13 marrëveshje të reja me Shqipërinë
A.Bela
Kryeministrit Kurti në konferencë për media, ka folur edhe në lidhje me mbledhjen e përbashkët të Qeverisë së Kosovës dhe Qeverisë së Shqipërisë.
Në këtë mbledhje sipas të parit të qeverisë do të shtohen edhe 13 marrëveshje, duke përfshirë edhe deklaratën e përbashkët. Ai bëri me dije se do diskutohet edhe për bashkimin doganor mes dy vendeve, bursave studentore, avokatisë etj.
“Nesër në Gjakovë, për herë të dytë si nikoqir, e për herë të tretë në më pak se 2 vjet, po mbajmë mbledhjen e nëntë të përbashkët të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Qeverisë së Republikës së Shqipërisë”, tha ai.
Sipas tij 41 marrëveshjeve në dy mbledhjet e pararendëse, prej të cilave 39 të zbatuara plotësisht e dy tjera në fazën finale të zbatimit, do t’ia shtojmë edhe 13 të reja në fushën e drejtësisë, arsimit, shëndetësisë, bujqësisë, kulturës, ndërmarrësisë e mbrojtjes dhe një deklaratë të përbashkët për forcimin e bashkëpunimit në fushën e sigurisë.
“Në rend të ditës së nesërme do ta kemi edhe diskutimin në lidhje me bashkëpunimin për realizimin e një qëllim të kamotshëm, atë të Bashkimit Doganor, krahas marrëveshjeve e memorandumeve të bashkëpunimit për njohjen e të drejtës për ushtrimin e profesionit të avokatit dhe ndërmjetësit; për bursa studentore; ofrimin e shërbimeve shëndetësore; lehtësimin e procedurave të kalimit të mallrave ushtarake dhe të produkteve me origjinë jo shtazore, për të përmendur vetëm disa pre tyre”, tha ai.
Duke shtuar se veçanti e kësaj mbledhje, përveç momentit se kur po zhvillohet, është edhe takimi i përbashkët me Kryetarët e Komunave të Zonave Kufitare; Gjakovës, Pejës, Deçanit, Prizrenit dhe Dragashit në njërën anë, dhe Tropojës, Kukësit dhe Hasit në anën tjetër. Bashkë do të diskutojmë se si sfidat t’i kthejmë në mundësi, e mundësitë në përfitim të qytetarëve.
“Lëvizjes së lirë të qytetarëve në zonat ndërkufitare i kemi dhënë rëndësinë e duhur. Nëpërmjet marrëveshjeve të deritanishme e protokolleve zbatuese, e kemi rritur në 26 numrin e vendkalimeve të veçanta kufitare. Nga prilli i këtij viti, mbi 200,000 shtetas të Kosovës dhe të Shqipërisë që banojnë në zonat deri në 30 km nga kufiri tokësor kanë të drejtë të kalojnë kufirin lirshëm dhe të qëndrojnë në zonën kufitare, për arsye sociale, kulturore, familjare e shëndetësore”, tha ai.























