Vëllai e nipi i Ipeshkvit të Kosovës, ndërtojnë derën e xhamisë në Ferizaj
J.Musliu/RTKlive
Thënia e Pashko Vasës se “shqiptarët kanë Bajram e Pashkë, por shqiptarinë e kanë bashkë”, mund të ilustrohet më së miri me rastin e xhamisë së Gackë të Ferizajt.
Dera e xhamisë së këtij fshati është punuar nga vëllai i Ipeshkvit të Kosovës.
“Dera e xhamisë në fshatin Gaçkë në Ferizaj është punuar në mënyrë të veçantë nga mjeshtri Zef Gjergji dhe djali i tij Emanueli, të cilët njëkohësisht janë vëllai dhe nipi i Ipeshkvit të Kosovës”, ka njoftuar Bashkësia Islame e Kosovës.
“Dera e kësaj xhamie përveç së është punuar në mënyrë të shkëlqyer që do ta zbukurojë edhe më shumë këtë xhami, kjo punë veç tjerash tregon edhe nivelin e lartë të harmonisë fetare që mbizotëron në vendin tonë”, deklaron BIK-u.
Kjo derë peshon rreth 700 kilogram, ndërsa e veçanta e saj është doreza prej bronzi e punuar nga skulptori Agon Qosa.
Ndërkohë, kur kanë mbetur edhe disa ditë nga festa e Kurban Bajramit, në orët e hershme të mëngjesit të sotëm, nga aeroporti “Adem Jashari” në Prishtinë, është nisur për në vendet e shenjta grupi i parë i besimtarëve nga Kosova të cilët do ta kryejnë kushtin e pestë të Islamit – haxhin.
Në përcjellje të tyre, përveç familjarëve të shumtë, doli edhe kryetari i Bashkësisë Islame të Kosovës, Myftiu Naim Tërnava, i cili u uroi besimtarëve rrugë të mbarë dhe haxh e ibadete të pranuara.
Kryesia e Bashkësisë Islame të Kosovës ka njoftuar se këtë vit nga Kosova për ta kryer haxhin do të udhëtojnë 1597 besimtarë, të cilët do të udhëtojnë përgjatë 3 ditëve më 17, 18 dhe 19 qershor.
























