Vukashinoviq u arrestua për sulm ndaj kameramanit dhe ekipit të RTK-së
Emine Hoti / RTKlive
(Plotësuar) Policia e Kosovës ka konfirmuar se i arrestuari Urosh Vukashinoviq, është prangosur si i dyshuar për sulmet e kryera prej tij, ndaj gazetarëve, më 16 qershor në Leposaviq.
Konkretisht, Policia e Kosovës ka saktësuar për RTKlive se i njëjti është prangosur lidhur me rastin e sulmit fizik që ka kryer ndaj kameramanit të RTK-së, Bardh Bekteshi.
"Po, arrestimi i tij është kryer për këtë rast”, konfirmojnë nga Policia e Kosovës, por pa dhënë detaje të tjera.
Ndërkohë, RTKlive ka mësuar se rasti i sulmit ndaj ekipit të RTK-së dhe në mënyrë të veçantë ndaj kameramanit të RTK-së, Bardh Bekteshi, është duke u trajtuar tashmë nga policia në Prishtinë.
Sulmi ndaj kameramanit dhe ekipit të RTK-së, tronditi opinionin publik, fal pamjeve të xhiruara me telefon nga gazetarja e mediumit publik, Venera Xhoxhaj.
Kjo e fundit, duke ikur nga sulmi i huliganëve në veri, arriti ta menaxhojë telefonin e saj, duke bërë që të xhiroheshin pamjet e rënda kur kameramani Bekteshi shtyhet dhe përveç dëmtimit të kamerës, rrëzohet dhe goditet me shqelma.
Këto pamje janë transmetuar nga shumë media vendore e ndërkombëtare dhe janë publikuar në llogaritë e rrjeteve sociale nga shumë personalitete të ndryshme në Kosovë dhe të huaj.
Organizata të ndryshme vendore e ndërkombëtarë kanë reaguar ashpër ndaj këtyre sulmeve, të cilët i kanë bërë thirrje policisë dhe KFOR-it që t’i mbrojnë gazetarët.
Ndërkohë, aktet e tilla të dhunës ndaj gazetarëve të kryera nga bandat kriminale në veri, janë dënuar nga të gjithë drejtuesit e institucioneve vendore e ndërkombëtare, por jo edhe Lista Serbe.
Madje një indiferentizëm i tillë i kësaj partie politike që pretendon se mbron interesat e serbëve të Kosovës, ka shtyrë të reagojë edhe ambasadorin e Gjermanisë në Kosovës, Jorn Rohde.
Sulmet ndaj mediave gjatë situatës së fundit në veri të vendit kanë qenë të shumta, duke bërë që grupe kriminale serbësh, t’i sulmojnë ata me mjete të forta.
Ndërkohë, të njëjtit kanë lënduar edhe rreth 30 ushtarë të KFOR-it. Kryeministri Albin Kurti nga ana tjetër ka deklaruar se pa u vendosur drejtësia dhe ligjshmëria në tërë atë pjesë të Republikës, nuk do të ketë ulje të numrit të pjesëtarëve të policisë.

Arrestohet edhe një i dyshuar për sulm ndaj gazetarëve në Leposaviq
Policia e Kosovës ka njoftuar se ka arrestuar një të dyshuar për sulmin ndaj gazetarëve në Leposaviq më 16 qershor.
Sipas policisë, i dyshuari është i komunitetit serb, i identifikuar me iniciale, U.V.
"Sot, në orët e hershme të mëngjesit është arrestuar i dyshuari i radhës mashkull serb U.V., me vendbanim në një fshat të komunës së Leposaviqit, i dyshuar për përfshirje në një rast sulm ndaj
mediave/gazetarëve", thuhet në njoftim.
Policia njofton se arrestimi i tij dhe shoqërimi në stacion policor është kryer si rezultat i hetimeve intensive dhe i sigurimit të dëshmive, se i njëjti është përfshirë në sulm ndaj mediave/gazetarëve me datë 16 qershor 2023.
Policia thotë se të gjitha veprimet e mëtejme do të ndërmerren në bashkëpunim dhe koordinim me organet e drejtësisë.
"Angazhimi dhe përkushtimi i Policisë së Kosovës, do të vazhdojë për ruajtje të rendit dhe sigurisë publike, për sundim të ligjit dhe sjelljen para organeve të drejtësisë së personave të dyshuar që bien në kundërshtim me rendin dhe ligjin", thuhet më tej në njoftim.
Më 16 qershor në Leposaviq pati tensione pas vizitës së ministrit të Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, te kryetari i Leposaviqit, Lulzim Hetemi, ku u sulmuan edhe mediat.
Protestuesit serbë kishin sulmuar edhe kameramanin e RTK-së, Bardh Bekteshi.
Gazetarja e RTK-së, Venera Xhoxhaj, kishte treguar se protestuesit i kishin gjuajtur me gurë ekipet e medieve. Ajo kishte xhiruar edhe pamjet e rënda kur kameramani Bekteshi shtyhet, rrëzohet dhe goditet me shqelma.
“Na kanë gjuajtur me gurë, disa kolegë derisa kanë qenë duke u larguar, janë rrëzuar, dhe kameramanit tonë, Bardh Bekteshi, e kanë shtyrë duke e rrëzuar pastaj edhe sulmuar fizikisht duke i shkaktuar lëndime në kokë dhe trup”, kishte thënë Xhoxhaj.
Rasti i sulmit ndaj kameramanit Bekteshi nuk ishte i vetmi, pasi atë ditë edhe nëntë gazetarë të tjerë u sulmuan nga persona të maskuar.
Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës ka thënë se që nga nisja e tensioneve në komunat në veri, të banuara me shumicë serbe, janë regjistruar 30 sulme ndaj punëtorëve të mediave.























