Kosova lejon hyrjen e kamionëve me mallra jo serbe
Fazli Veliu/RTK
Burime brenda Ministrisë së Punëve të Brendshme të Kosovës, kanë konfirmuar për RTK-në se kanë ndryshuar vendimin lidhur me hyrjen në Kosovë të maunave me ngarkesë mallrash nga Serbia.
Me ndryshimin e këtij vendimi, në Kosovë do të lejohet hyrja e mjeteve transportuese edhe me targa të Serbisë, me kushtin që nuk bartin ngarkesa me mallra që për origjinë kanë Serbinë dhe kjo, për shkaqe sigurie.
Si masë sigurie deri para marrjes së këtij vendimi, të gjitha maunat me targa të Serbisë, pavarësisht origjinës së produkteve, nuk janë lejuar të futen në Kosovë.
Kështu, në pikën kufitare mes Kosovës e Serbisë, në Merdar, po lejohet hyrja e kamionëve me targa serbe, por të cilët bartin mallra nga shtetet e tjera.
Ndërkohë, kamionët me targa serbe që bartin mallra serbe, vazhdon të mbesin të bllokuara pasi Qeveria e Kosovës ka vendosur që ata të mos hyjnë në territorin e Republikës.
Qeveria e Kosovës kishte vendosur të ndalojë hyrjen e kamionëve me targa të Serbisë si shenjë reagimi për kidnapimin e tre pjesëtarëve të Policisë Kufitare të Kosovës nga ana e Njësitit Special të Policisë së Serbisë, rast ky që ndodhi disa ditë më parë.
Policët ende po mbahen në paraburgim në Serbi kurse faktori ndërkombëtar i ka bërë thirrje Serbisë t'i lirojë ata menjëherë dhe pa kushte.























