Njohja e kontributeve pensionale me ligj, ka edhe implikime buxhetore
Qëndresa Duraku-Xharra/RTK
Të gjithë pensionistët që kanë dhënë kontributet pensionale në vitit 90-ta e që deri tash nuk e kanë gëzuar marrjen e pensionit të plotë, do të mund ta marrin pas miratimit të projektligjit për Skemat Pensionale, i cili duhet të miratohet në Kuvend para 15 korrikut, sipas aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese, që ua ka njohur këtë të drejtë.
Ministri i Financave tha se ligji do të përcillet në Kuvend gjatë korrikut, ndërsa bëri të ditur se zbatimi i tij ka implikime të mëdha buxhetore.
Projektligji për Skemat Pensionale pritet të miratohet në Qeveri brenda qershorit, ndërsa duhet të miratohet nga Kuvendi deri më 15 korrik.
Kështu bëri të ditur ministri i Financave, Hekuran Murati, gjatë raportimit në Komisionin për Buxhet. Ai tha se me këtë ligj do të njihet kontributi i punëtorëve të larguar nga puna në vitet 90-ta, të drejtë të cilën ish-punëtorët e kanë fituar me vendim të Gjykatës Kushtetuese.
"...Por siç e tash, bëhet fjalë për një implikim të lartë financiar i cili pastaj mund të kërkoj edhe rishikime tjera sa i për ketë ligjit për ndarje buxhetore nëse nuk mund të mbulohet në kuadër të hapësirave të lejuara që kemi brenda fleksibilitetit që lejon ligji?”, tha Hekuran Murati, ministër i Financave dhe Transfereve.
Kurse Pal Lekaj, anëtar i Komisionit nga AAK kërkoi të dijë se përse sipas tij, ministri Murati ka qenë kaq të ngurtë dhe që të pësojnë kjo kategori, duke shtuar se ata nuk e kanë bërë me vetë dëshirë, por me dhunë dhe mos të përfshihen në skemat sociale.
"Nuk e di se çka po i referoheni kur thoni që ju e keni dërgua nga aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese shprehimisht thuhet se lënda është përcjell nga Gjykata Supreme, pra nuk bëhet fjalë për një dërgim të lëndës në gjykatë nga ndonjë deputet apo nga ndonjë grup parlamentar?”, iu përgjigj ministri Murati.
Komisioni Parlamentar për Buxhet diskutoi edhe për shpenzimet e Kuvendit, i cili për tre muajt e parë të këtij viti shpenzoi mbi 1 milion e 600 mijë euro.
"Në bazë te dhënave ju që i keni ofruar, shpenzime për dreka zyrtare në vitin 2022 në 3 mujorin e parë ka qenë mbi 8 mijë e 604 euro, kurse këtë 3 mujor ju po thoni që është 25 mijë e 873 euro”, tha Armend Muja, kryesues i Komisionit për Buxhet dhe Financa. “Ky është një kapërcim i madh i cili duhet të ketë një shpjegim".
Kurse Istref Azemi, drejtor i Drejtorisë për Buxhet dhe Pagesa në Kuvend tha se te drekat zyrtare ka pasur edhe disa aktivitete, disa delegacione që e kanë vizituar Kuvendin edhe janë disa shpenzime të komisioneve parlamentare të cilën e kanë pasqyruar krejt këtë shumë.
Komisioni i miratoi edhe raportet e komisioneve që përcaktojnë shumën e përfitimeve në lartësi të pagës minimale, procedurat e caktimit të pagës minimale dhe shkallët tatimore në të ardhurat personale vjetore.























