Udhëtimi me tren, Kosova ka vetëm një linjë hekurudhore/Video
BKT
Kosovë

Udhëtimi me tren, Kosova ka vetëm një linjë hekurudhore/Video

Fatos Cërvadiku/RTK

Vetëm një linjë hekurudhore për udhëtarët po qarkullon në Kosovë. Linja Fushë Kosovë-Pejë është e vetmja që njëherë në ditë qarkullon në këtë destinacion. Linjat e tjera janë jashtë funksionit, pasi që një pjesë e hekurudhave është në rikonstruktim. Për udhëtarët udhëtimi me tren sjell komoditet, por edhe çmime më të lira.

Udhëtarët zgjedhin trenin si mjetin më të sigurt të transportit, por edhe për faktin se arrin me kohë në destinacion. Lëvizja e ngadalshme në linjën e vjetër hekurudhore Prishtinë-Pejë kalohet për dy orë. Por, komoditeti që sjell treni, është arsyeja që udhëtaret e përdorin në vend të mjeteve të tjera të udhëtimit.

“Treni në krahasim me autobusët është më komod”, deklaroi një pasagjerë, sipas të cilit, një tjetër arsyeje pse udhëtarët e zgjedhin trenin, është për shkak të çmimit. “Është udhëtimi më i mirë që bëhet me tren edhe çmimet janë më të lira”.

“Zakonisht udhëtoj për Bardh. Jam prej Bardhi, por jetoj në Prishtinë. Treni arrin për 20 minuta në Bardh, kurse autobusi bën një orë”, deklaroi një tjetër udhëtar.

Nga TRAINKOS thanë se interesimi i udhëtarëve për të udhëtuar me tren është në nivel të kënaqshëm.

Altin Podrimçaku është menaxher i transportit të udhëtarëve në Trainkos. Ai tregon se në vitin 2022 në 6 mujorin e parë kanë qenë afërsisht 34 mijë udhëtarë të cilët kanë përdor trenin në këtë vit parashihet me qenë rreth 38 mijë udhëtarë afërisht 12% më shumë.

Një tjetër problem që ende nuk po eliminohet është goditja me gurë që i bëhet trenit gjatë ecjes. Zyrtarët kërkojnë punë efikase nga policia.


MË SHUME NGA Kosovë