Fillon faza e parë e dezinsektimit në Prishtinë
Albulena Bytyqi/Radio Kosova
Në Komunën e Prishtinës ka filluar faza e parë e dezinsektimit në lagjet e kryeqytetit e cila ka për qëllim largimin e insekteve dhe që qytetarët të jenë më të sigurt që të mos ketë bartje të sëmundjeve ngjitëse nga insekte të ndryshme. Zyrtarë Komunal nga Komuna e Prishtinës thonë për Radio Kosovën se vitin e ardhshëm premtohet të futen në proces edhe zonat rurale.
Ka filluar faza e parë e dezinsektimit në Komunën e Prishtinës. Ani pse procesi i dezinsektimit ishte paralajmëruar që të ndodhtë ne muajin maj, për shkak të ndryshimeve atmosferike, dezinsektimi i hapësirave ishte shtyrë deri në përmirësimin e kushteve atmosferike. Kështu ka bërë të ditur për Radio Kosovën Drejtori për Shëndetësi në Komunën e Prishtinës Izet Sadiku. Ai tha se pilot projekti i dezinsektimit ka për qëllim largimin e insekteve, që mund të jenë bartëse të shumë sëmundjeve ngjitëse.
“Dezinsektimi hapësinor është një proces që e zhvillon Drejtoria e Shëndetësisë ne Komunën e Prishtinës, dhe ka për qëllim largimin e insekteve, mizave që mund të jenë bartëse të shumë sëmundjeve ngjitëse. Për këtë arsye me anë të këtij procesi arrijmë që ta kthejmë në nivel të dëshirueshëm që t’i shkatërrojmë këto insekte mos të lëmë mundësi që të bartin sëmundje të ndryshme këto insekte tek popullata”, tha ai.
Sadiku, tutje ka shtuar se sivjet do të dezinfektohet një sipërfaqe e prej mbi 6700 hektarë, duke përfshirë edhe dy zona rurale Mramorin dhe Riminishtën, që janë dy lokalitet të mëdha. Sadiku tha se vitin tjetër do të përfshihen me shumë fshatra.
“Vitin e ardhëm do ta kemi një projekt të ri dhe të bëjmë një analizë me të thukët që t’i fusim edhe zonat rurale qe të jene të përfshira në këtë projekt, jo vetëm qyteti por edhe fshatrat”, ka shtuar Sadiku.
Ai tutje ka thënë se bashkëpunimi i qytetarëve në këtë proces është i një rëndësie të veçantë për suksesin e këtij procesi. Gjatë kohës së dezinsektimit, qytetarët duhet t’i mbajnë dritaret e mbyllura, që mos të futen insektet brenda dhe të kufizojnë daljet nëpër hapësirat ku është duke u kryer dezinsektimi së paku për një orë.























