9 vjet e 6 muaj burg për ‘Mollën e Kuqe’, ish pjesëtarin e UÇK-së 
BKT
Foto: Arkiv
Kosovë

9 vjet e 6 muaj burg për ‘Mollën e Kuqe’, ish pjesëtarin e UÇK-së 

J.Musliu/RTKlive

Me nëntë vjet e gjashtë muaj burg është dënuar Remzi Shala, i njohur gjatë luftës me pseudonimin si “Molla e Kuqe”.

Gjykata Themelore në Prizren njoftoi se i akuzuari R.Sh u gjet fajtor për veprën penale të krimeve të luftës kundër popullsisë civile.

Sipas aktgjykimit, vepra e kryer nfga ana e tij ka ndodhur gjatë kohës së luftës në Kosovë, me datën 26 qershor 1998.

Në atë ditë, rreth orës 23:00, në fshatin Duhël, si pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) në uniformë dhe i armatosur me armë të gjatë, ai  bashkë me 5 apo 6 pjesëtarë të UÇK-së të paidentifikuar, të armatosur dhe me maska në fytyrë, kanë shkuar në shtëpinë e H.P.

Për të njëjtin ata kanë dyshuar se është duke bashkëpunuar me forcat serbe, prandaj edhe e kanë marrë peng.

Sipas aktgjykimit, ku jepen edhe detaje të tjera të pengmarrjes, R.Sh, në bashkëkryerje ka kryer veprën penale krimet e luftës kundër popullsisë civile.

Në kohëzgjatjen prej 9 vitesh e 6 muaj burg, të njëjtit do ti llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim nga data 24 maji 2019.

Në fakt, Gjykata Themelore në Prizren, në korrik 2019, kishte marrë aktgjykim, dhe i akuzuari R.Sh., ishte shpallur fajtor për veprën penale “Krime lufte kundër popullatës civile”, dhe ishte dënuar me burgim në kohëzgjatje prej 14 vitesh.

Gjykata e Apelit në dhjetor të vitit 2019, e kishte ndryshuar aktgjykimin e shkallës së parë, vetëm mbi dënimin, ashtu që të akuzuarit R.Sh., i ishte shqiptuar dënim me burgim në kohëzgjatje prej 10 vitesh.

Gjykata Supreme, më 2 mars të vitit 2020, ka marrë Aktgjykim, dhe çështja i është kthyer Gjykatës së shkallës së I-rë, (Gjykata Themelore në Prizren), në rivendosje.


MË SHUME NGA Kosovë