Gjergj Gjokajt 30 ditë paraburgim, dyshohet se vrau vëllëzërit Islamaj
J.Musliu/RTKlive
Gjykata Themelore në Gjakovë ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore të kësaj komune, duke i caktuar masën e paraburgimit një muaj të pandehurit Gjergj Gjokaj.
Kjo për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale të vrasjes së rëndë dhe mbajtjes pa autorizim të armës.
Me datën 25 qershor 2023 rreth orës 20:20, në fshatin Madanaj të Gjakovës,dyshohet se Gjokaj, me dashje ka privuar nga jeta të ndjerët Haxhi e Blerim Islamaj, të dy vëllëzër, nga i njëjti fshat.
Dyshohets e shkak i kësaj vrasje të dyfishtë ishte një mosmarrëveshje pronësore.
Me këto veprime, i pandehuri dyshohet se ka kryer dy vepra penale, ”Vrasja e rëndë” dhe veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, vepra të sanksionuara me Kodin Penal të Republikës së Kosovës.
Gjyqtari i procedurës paraprake Drilon Haraçia, në seancën dëgjimore të mbajtur në ambientet e spitalit ku i pandehuri gjendet për trajtim mjekësor, ka vlerësuar se janë përmbushur kushtet ligjore për caktimin e masës së paraburgimit për të pandehurin në fjalë.
“Ngase kemi të bëjmë me vepra penale të rënda”, deklaroi ai.
I pandehur do të mbahet në paraburgim në kohëzgjatje prej një muaji, i cili do të llogaritet prej kohës së arrestimit më 25 qershor 2023 dhe do të zgjasë deri më 25 korrik 2023.
Palët kanë të drejtën e ankesës ndaj këtij vendimi në Gjykatën e Apelit të Kosovës.























