Mediet ia kanë borxh KPM-së, 252 mijë euro për licencë|Video
Edona Podvorica/RTK
Komisioni për Media ka shqyrtuar sot Raportin vjetor të Komisionit të Pavarur për Media, për vitin 2022. Digjitalizimi, ndryshimi i pronësisë dhe borxhet që mediat i kanë KPM-së për licencim thonë se mbeten sfidat kryesore të këtij institucioni.
Në prezantimin e raportit vjetor të punës për vitin 2022, kryetari i Komisionit të Pavarur të Mediave, Jeton Mehmeti, foli për punën që ka bërë ky komision, me gjithë sfidat. Ai u ndal te borxhet e grumbulluara të mediave të cilat prej vitit 2011, nuk e kanë paguar tarifën e licencës. Tha se edhe RTK i ka borxh KPM-së, 252 mijë euro.
“Edhe Transmetuesi Publik nuk e ka paguar tarifën 252 mijë euro borxh,nga viti 2011. Kjo na vë në një situatë të palakmueshme, pasi i kemi tri kërkesa për rilicencim, për tri kanale të RTK-së”, tha Jeton Mehmeti, kryetar i KPM-së. “Tani kanë bërë kërkesë për licencim, nuk mund të licencojmë një subjekt pa i shlyer borxhet”.
Sfidë tjetër mbetën licencat e reja, ndryshimi i pronësisë si dhe digjitalizimi, proces ky që ka pasur shkëputje. Deputetët ngritën shqetësimet e tyre në raport me punën e Komisionit të Pavarur të Mediave, përfshirë edhe rastin e televizionit Klan Kosova.
“E kam parë vlerësimin tuaj shumë serioz e institucional, dhe luteni të mos ndikoheni nga politika|, tha Besnik Tahiri, anëtar i Komisionit për Media nga AAK-ja.
“E keni trajtu me profesionalizëm, por a ka ndonjë rregullim ligjor që ju të mos bini pre e politikes", u shpreh Mërgim Lushtaku, anëtari tjetër i Komisionit për Media nga PDK-ja.
“Borxhin që e ka RTK ndaj KPM-së, a jeni taku, që qoftë të filloni ndonjë pagesë me keste!”, pyeti Fitim Haziri, anëtar i Komisionit për Media.
Sidoaoftë, meqë deputetët kërkuan diskutim më të gjerë mbi digjitalizimin dhe licencimin e subjekteve mediale, u vendos për një mbledhje tjetër të martën e ardhshme.























