Rexhepi e Rashiq: Për komunitetet të zbuten kriteret e subvencioneve
BKT
Foto: Zyra e Kryeministrit
Kosovë

Rexhepi e Rashiq: Për komunitetet të zbuten kriteret e subvencioneve

M.Muriq/Radio Kosova 2

Zëvendëskryeministrja e Kosovës për Komunitete dhe të Drejtat e Njeriut, Emilija Rexhepi dhe ministri për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiq, kanë kërkuar nga ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Faton Peci që të zbuten kriteret për marrjen e subvencioneve për fermerët nga komunitetet joshumicë.

Në mbledhjen e djeshme të Qeverisë, është miratuar vendimi për t'i kërkuar presidentes së Kosovës që të autorizojë ministrin e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural për nënshkrimin e marrëveshjes ndërmjet Republikës së Kosovës dhe GIZ-it gjerman, për projektin “Përkrahja e zhvillimit të qëndrueshëm të sektorit bujqësor në zonat rurale nëpërmjet diversifikimit të aktiviteteve”.

Me këtë rast, ministri Peci tha se ky projekt është i një rëndësie të jashtëzakonshme për Qeverinë e Kosovës, sepse do të ndikojë në rritjen e punësimit në zonat më pak të zhvilluara rurale përmes krijimit të mundësive të reja për punësim apo vetëpunësim, ruajtjen e të vendeve të punës ekzistuese, zhvillimit të biznesit dhe rritjes së aktiviteteve ekonomike.

“Përmes kësaj marrëveshjeje dhe investimesh, diversifikimi i aktiviteteve bujqësore, si turizmi rural apo eko-turizmi, prodhimi i energjisë së ripërtërtishme për ndërmarrjet bujqësore, marketingu dhe shitja me pakicë, pastaj diversifikimi dhe fillimi në sektorin e bujqësisë...”, tha ministri Peci.

Sipas tij, mbështetja e Ministrisë Federale Gjermane për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik në këtë projekt do të jetë 10.2 milionë euro, ndërsa Ministria e Bujqësisë do të marrë pjesë me 10 milionë euro.

Para miratimit të vendimit, ministri për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiq dhe zëvendëskryeministrja për Komunitete dhe të Drejtat e Njeriut, Emilija Rexhepi, kërkuan nga ministri i Bujqësisë që të shqyrtojë mundësinë e lehtësimit të kritereve për marrjen e subvencioneve apo granteve për fermerët nga komunitetet joshumicë.

Në një prononcim për Radio Kosova 2, program në gjuhën boshnjake, Rexhepi tha se me zbutjen e kritereve do të krijohen kushte që fermerët e komuniteteve joshumicë të jenë përfitues të ndihmës qeveritare.

“Fermerët tanë ende nuk i plotësojnë dot kriteret e Ministrisë së Bujqësisë, nuk kanë aq tokë, nuk kanë aq hektarë, duhet të kesh të paktën 50-100 krerë bagëti... fermerët nuk mund të plotësojnë asnjë nga ato kritere dhe pastaj nuk mund të aplikojnë. Sot kemi takim me kryeministrin dhe do të shohim se çfarë hapash do të ndërmarrim para se të bëhet thirrje publike nga qytetarët tanë”, tha Rexhepi.

Ndërsa ministri për Komunitete, Nenad Rashiq ka konfirmuar për Radio Kosova 2, se në disa raste ka biseduar me ministrin e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural nëse ekziston mundësia që kriteret e deklaruara në ftesat publike të Ministrisë së Bujqësisë të jenë më shumë fleksibile, kur bëhet fjalë për komunitetet.

“Për shkak se këto janë standarde mjaft të larta, kemi të bëjmë me fermerë që kanë disa hektarë tokë, të cilët janë prodhues të mirë. Dhe numri i fermerëve të tillë midis komuniteteve është i vogël dhe për këtë arsye unë sugjerova që të gjejmë një modul, të paktën për një sasi të caktuar të atyre thirrjeve, që kriteret të jenë fleksibile ose më të lehtë, në mënyrë që edhe ata fermerë potencial që kanë nga 50, 70, 80 ari tokë, të mund të marrin pjesë dhe të marrin mbështetje”, tha Rashiq.

Nga ana tjetër, ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Faton Peci, në mbledhjen e djeshme të Kabinetit ka thënë se ai si ministër nuk mund të lejojë që dikush të marrë ndihmë në bazë të kombësisë.

“Pjesëtarët e të gjitha bashkësive etnike do t'u nënshtrohen të njëjtave forma dhe rregulla”, tha Peci, duke shtuar se pikërisht për shkak se “pjesëtarët e komuniteteve joshumicë nuk mund t'i plotësojnë kriteret në zona të caktuara, është iniciuar dhe marrë mbështetje në shumën prej 10.2 milionë eurosh”.


MË SHUME NGA Kosovë