Pas stuhisë, Përparim Rama me apel për qytetarët
B. H. | RTKlive
(E plotësuar 18:00)Pas keqësimit të motit dhe rrebeshit të shiut që shkaktoi edhe vërshime në disa lagje, kryetari i Prishtinës Përparim Rama u bëri thirrje qytetarëve që të kenë kujdes të shtuar gjatë lëvizjeve me automjete. Ai po ashtu tha se qytetarët mos dalin nëse nuk është e domosdoshme, për shkak të kushteve atmosferike.
Ai madje në Facebook publikoi edhe numrat emergjent, për qytetarët që kanë nevojë për ndihmë.
Ndryshe, stuhia që përfshiu kryeqytetin pas ditës së sotme ka lënë edhe pasoja. Në Bregun e Diellit ka rrezuan një pullaz në rrugë duke shkaktuar edhe dëme, ndërsa ka rrëzuar edhe pemë. Dëme ka shkaktuar edhe në disa qytete të vendit, ndërsa më e prekura nga rrebeshi i shiut duket se është qyteti i Rahovecit.
Stuhi në kryeqytet
Kryeqyteti i Kosovës është përfshirë nga një stuhi shiu në orët e pasdites, me ç’rast janë shkaktuar edhe dëme materiale.
Derisa në orët e paradites dhe në mesditë ka mbretëruar mot shumë i nxehtë, pasdite moti ka ndryshuar shpejt dhe kryeqyteti është mbuluar nga retë e zeza, të cilat kanë shkaktuar stuhi dhe shkarkime rrufesh.
Sipas parashikimeve të Institutit Hidrometeorologjik të Kosovës, edhe të dielën priten reshje intensive të shiut dhe shkarkime rrufesh.
Si pasojë e stuhisë që zgjati disa minuta në lagjen “Bregu i Diellit” raportohet për rënien e një kulmi nga një ndërtesë, e cila për pasojë ka dëmtuar disa vetura të parkuara. Në vendngjarje ka dal edhe Policia e Kosovës.























