LDK merr udhëheqjen e Kuvendit Komunal në Gjilan, reagon Hyseni
M. Pasoma / RTKlive
Pas prishjes së koalicionit të Partisë Demokratike të Kosovës me Lëvizjen Vetëvendosje në komunën e Gjilanit, kryesimi i Kuvendit Komunal i kaloi Lidhjes Demokratike të Kosovës. Kryetar i Kuvendit Komunal u zgjodh Kushtrim Kadriu.
Raporti i forcave u ndërrua për shkak se kryetari i komunës nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Alban Hyseni e ndërpreu bashkëpunimin e PDK-në, i cili zgjati gati dy vjet.
“Ndërrimi i këtyre raporteve i dha mundësinë shumicës në Kuvendin Komunal, të udhëhequr nga LDK-ja e që përfshinë një koalicion tashmë disa vite në mes të LDK-së, AAK-së e Lëvizjes Vatra, duke krijuar mundësinë që z. Kushtrim Kadriu ta marrë kryesimin e kësaj agjendë”, ka njoftuar faqja zyrtare e LDK-së në Gjilan.
Ndërrimi i këtyre raporteve i dha mundësinë që të bëhet shumica e re në Kuvendin Komunal, e udhëhequr nga LDK-ja, e që përfshinë një koalicion tashmë disa vite në mes të LDK-së, AAK-së e Lëvizjes Vatra, e cila e zgjodhi Kushtrim Kadriun si kryesues i të Kuvendit.
Lidhur me këtë vendim ka reaguar kryetari i Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni duke e cilësuar si “zhgënjyese të shohësh, të veprosh e jetosh me nivelin e politikës së vendit tonë”.
“Në këtë seancë, kasta e vjetër kleptokraste e zhvatëse zgjodhën për kryesues një asamblist që ka një grusht votash. Për më tepër, kryesuesi i ri para pak kohe është dënuar nga gjykata dhe është nxjerrë aktgjykim dënues ndaj tij”, ka shkruar Hyseni në Facebook.
E ndaj këtij reagimi të të parit të komunës ka pasuar edhe kundërpërgjigja e degës së LDK-së në këtë qytet. Ata kanë thënë se Kuvendi Komunal në Gjilan, do të ketë dinamikë të re, agjendë zhvillimore e prosperitet.
“E kuptojmë shqetësimin e tij, por tash e disa vite qytetarët e Gjilanit e kanë krijuar një shumicë parlamentare të cilën e ka preventuar vetë z. Hyseni. Ai krijoi koalicion me PDK-në dhe disa parti të vogla, për ta lënë në opozitë LDK-në, dhe kjo opozitë e djeshme sot është shumicë në Kuvendin Komunal të Gjilanit, në përputhje me besimin dhe vullnetin qytetar”, thuhet në deklaratën e degës së LDK-së.
Ky subjekt ka kërkuar nga kryetari i Gjilanit që ta respektojë vendimin e Kuvendit dhe të koordinohet me kryesuesin dhe shumicën e re në Kuvend.
”Atij i mbetet detyra që ta zbatojë ligjin, të mos 'vjell' mbi shumicën e re dhe të kujdeset për fjalorin e ndyrë që ka filluar ta përdorë sepse asnjëherë dhe në asnjë rast nuk e ka përfaqësuar shumicën politike në Gjilan. Ka ardhur si pakicë, është pakicë dhe do të mbetet pakicë”, thuhet tutje në deklaratën e LDK-së, dega në Gjilan.
Tutje ky subjekt ka thënë se sot e ndryshuan raportin në Kuvendin Komunal, ndërsa në të ardhmen do ta ndryshojnë edhe ekzekutivin.























