Kuvendi emëron anëtarin ndërkombëtar në Këshillin Shtetëror të Cilësisë
A.B/RTKlive
Kuvendi i Kosovës në një seancë të Jashtëzakonshme me 71 vota ka emëruar anëtarin ndërkombëtar në Këshillin Shtetëror të Cilësisë me mandat pesëvjeçar.
Pas votimit për shmangie të afateve procedurale, në emër të Komisionit për Arsim, Shkencë, Teknologji, Inovacion, Kulturë, Rini dhe Sport, fjalën e mori deputeti Ardian Gola.
Deputeti Gola tha se komisioni funksional e ka shqyrtuar vendimin e Qeverisë së Kosovës, si dhe e ka miratuar tutje për procedurat e radhës në Kuvend.
Ai tha se mbështetja e deputetëve për ratifikimin e anëtarit të tretë të Këshillit Shtetërorë të Cilësisë në Agjencinë e Kosovës për Akreditim është mjaftë e rëndësishme.
Më pas, fjalën e mori edhe ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, e cila tha se Këshilli Shtetërorë i Cilësisë për momentin ka vetëm dy anëtarë, prandaj, sipas saj, bazuar në ligj është e domosdoshme që të votohet për ratifikimin edhe të anëtarit të tretë, pasi universiteteve të Kosovës u nevojitet akreditimi për të pranuar studentë të rinj.
Më pas, Kuvendi me 71 vota për dhe asnjë kundër ratifikoi profesorin dhe prodekanin në Universitetin e Helsinikit në Finland, Jaakko Kauko, për anëtar të tretë të Këshillit Shtetërorë të Cilësisë në Agjencinë e Kosovës për Akreditim.
Këshilli Shtetëror i Cilësisë (KShC), është organ politikbërës dhe vendimmarrës i AKA-së, i cili përbëhet nga nëntë anëtarë, tre prej të cilëve janë ndërkombëtarë.























