AAK takohet me sindikatat, synon ndryshime në Ligjin për Paga
M.P. / RTKlive
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka nisur takimet me përfaqësuesit e sindikatave në vend. Këto takime kanë në thelb ngritjen e koeficientit të pagave në 129 euro.
Ky subjekt politik i cili drejtohet nga Ramush Haradinaj po kërkon rishikim buxhetor, e që besohet që do ta ketë mbështetjen e deputetëve. Pika tjetër është plani për hartimin e nismës ligjore për Ligjin e Pagave.
“Në këtë ligj, dy elemente kryesore do të trajtohen: ajo e klasifikimit të vendeve të punës, ku ka padrejtësi të mëdha; dhe e dyta, shtesa për rrezikshmëri në punë, e cila tashmë ka hyrë në muajin e gjashtë dhe nuk po u jepet punëtorëve që u takon”, ka shkruar kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj në Facebook.
Tutje, ai ka thënë se dialogu social është i rëndësishëm për partinë që e drejton.
“Nga lidershipi i këtyre sindikatave e morëm mbështetjen e plotë për të vazhduar konsultimin në kuadër të platformës së dialogut social me sindikata dhe për përfaqësimin e interesave të tyre në Kuvendin e Kosovës”, ka shtuar Haradinaj.























