24 mijë nxënës iu nënshtruan pjesës së dytë të testit të arritshmërisë
Qendresa Duraku|RTK
Nxënësit e klasave të nënta iu nënshtruan pjesës së dytë të Testit të Arritshmërisë. Nxënësit që ishin bërë gati për provim thanë se janë përgatitur mjaftueshëm.
Për dallim prej herëve të tjera, kësaj radhe prezentë ishin edhe inspektorët e arsimit për të përcjellë nga afër mbarëvajtjen e testimit.
"Inspektorati është i angazhuar jo vetëm në rajonin e Prishtinës por në të gjitha rajonet e Kosovës që nga mëngjesi i hershëm, për të parë përgatitjet e nevojshme se a janë bërë, materialet dhe të gjitha ato që e kompletojnë procesin e mbarëvajtjes së testit të arritshmërisë”, tha Nebi Behluli, udhëheqës i Inspektoratit për Arsim për Rajonin e Prishtinës.
Edhe sivjet i pashmangshëm mbetet problemi me kopjimin. Nxënësit kishin krijuar grupe për të kopjuar, që u shpërnda në rrjetet sociale. Nga divizioni për Monitorim dhe Vlerësim në kuadër Ministrisë së Arsimit, pohojnë se shpërndarja e testit në rrjete sociale është një dukuri që po përcillet ndër vite.
Sipas tyre, përgjatë pjesës së dytë të testimit, pati edhe shpërdorime si nga ana e nxënësve por edhe mësimdhënësve.
“Disa nxënës janë përjashtuar nga testi për shkak të përdorimit të telefonave, kemi pas raste ku vetë mësimdhënësit kanë hyrë në këto rrjete e nuk dihet sa ka ndihmuar, mirëpo vetë hyrja në këto për t'i ndihmuar nxënësit është në kundërshtim me normën morale të mësimdhënësit. Kështu që ndaj këtyre mësimdhënësve do të merret masa e nxënësit të cilët janë zënë më telefon janë përjashtuar nga testi" , tha Fatmir Elezi, shef i Divizionit për Standard, Monitorim dhe Vlerësim në MASHT.
Njohës të çështjeve arsimore thonë testi i arritshmërisë duhet të largohet, përderisa testi i maturës duhet të ristrukturohet në tërësi.
"Nëse testi i maturës merr një vëmendje, testi i arritshmërisë ka shumë pak vëmendje që do të thotë shpërdorimet në testin e arritshmërisë janë shumë më të mëdha sesa ato të cilave u ekspozohemi nga ai i maturës dhe si i tillë kjo i vë një pikëpyetje të madhe validitetit të vetë rezultateve të testit të arritshmërisë", ka thënë Rinor Qehaja, instituti Edguard.
Në pjesën e dytë të Testit të Arritshmërisë kanë hyrë rreth 24 mijë nxënës në lëndët Matematikë, Informatikë, Fizikë, Kimi e Biologji. Rezultatet e provimit pritet të publikohen më 17 korrik.























