Haradinaj dënon ashpër djegien e shtëpisë të një qytetari serb në Istog
Sh.GashiRTKlive
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka dënuar ashpër djegien e shtëpisë së një qytetari serb në Istog.
Haradinaj ka thënë se Kosova si vend demokratik, garanton të drejtat themelore për jetë të sigurt për të gjithë qytetarët e saj.
“Kosova, si një vend demokratik dhe me aspirata euro-atlantike, i garanton të drejtat themelore për një jetë të sigurtë dhe pronë të pacënueshme të gjithë qytetarëve të saj”.
“Ne, me krenari duhet të jemi konform kushtetutës sonë, duke marrë obligim për të mbrojtur dhe respektuar të gjithë në mënyrë të barabartë, për të bërë të mundur që secili të ndjehet si në shtëpinë e vet, duke përfshirë këtu të gjitha komunitetet”, është shprehur Haradinaj.
Haradinaj ka ftuar organet e rendit që sa më parë të sjellin para drejtësisë kryesit e këtij sulmi.
“Djegia e një shtëpie e një qytetari serb, shtetas i Kosovës, është vepër e papranueshme si dhe kundër përkushtimit tonë për paqe dhe stabilitet. “Ftoj organet e rendit dhe të ligjit që sa më parë të sjellin para drejtësisë kryesit e këtij sulmi të shëmtuar”, ka përfunduar Haradinaj.























