Nënshkruhet marrëveshja, artistë nga SHBA performojnë në Prishtinë
Edina Avdiu/RTK
Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, së bashku me Jeffrey Hovenier, ambasador i Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Leutrim Fishekqiu, drejtor i Organizatës “Autostrada Biennale”, kanë nënshkruar marrëveshjen e bashkëpunimit për projektin “Ndërtimi i urave përmes artit dhe kulturës: Programi i shkëmbimit kreativ SHBA – Kosovë”.
Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka thënë se kjo kontratë nënkupton se bashkëpunimet që i kemi pas, do të vazhdojnë edhe më tutje në aspektin e artit dhe kulturës ku do të sjellim artistë të mirënjohur amerikan që do të performojnë në kryeqytet.
Ambasadori amerikan, në Kosovë, Jeff Hovenier u shpreh i lumtur që përmes kësaj marrëveshje do të mundohen të sjellin një mostër të larmishme të artit amerikan.
“Artistët cilët do të vijnë në Kosovë, me vete sjellin edhe këndvështrime të artit të tyre dhe unë e mirëpres me padurim këtë sinergji të ndjenjave amerikane me ndjenjat kosovare. Ata do të angazhohen jo vetëm në kryeqytet, por në tërë vendin, do shkojnë edhe në Mitrovicë dhe Prizren. Përmes artit ata do të mundohen të krijojnë dialog që synon t’i rrënojë të gjitha barrierat”, theksoi ai.























