Në kremte familjare të festohet me zemër, jo me armë
Pajtim Çuni /Radio Kosova
“Festo me zemër, jo me armë”. Kjo thirrje që bëhet prej vitesh, me qëllim të parandalimit të vrasjeve e plagosjeve nga gjuajtjet me armë në ahengje familjare, po përsëritet edhe këtë vit.
Përveç autoriteteve shtetërore, në një rrëfim për Radio Kosovën, lutje për mospërdorim të armëve në gëzime familjare ka edhe prindi i një fëmije që aksidentalisht humbi jetën 5 vjet më parë.
Tradita e gjuajtjes me armë në festa familjare, jo rrallëherë, gëzimet i ka kthyer në tragjedi, në familje të ndryshme gjithandej vendit.
Me një ngjarje të tillë që gazmendin, e shndërroi në fatkeqësi, u përball edhe familja Sopaj nga fshati Mushtishti i Suharekës. Pesë vjet pas tragjedisë, në një ditë plotë vapë, Latif Sopaj, rrëfen për Radio Kosovën historinë e trisht të 14 prillit, 2018, kur humbi djalin e tij.
“Atë ditë e kemi pasë një fejesë në familje. Gjatë gjithë kohës djali ka luajtur e vallëzuar me tupanë. Pasi janë ndalë tupanët kanë ardhur miqtë, kanë hyrë brenda, e këta kanë dalë për të shkrepur me armë, siç e kemi ne shqiptarët zakon. Edhe aty ka ndodhur rasti, vëllai aksidentalisht e ka plagosur veten dhe djalin. Edhe djali aty e pësoi me vdekje dhe gjithçka përfundoi”, tregoi ai.
Latif Sopaj, babai i Edit, i cili vdiq një ditë pas ditëlindjes së 14-të, kërkon nga qytetarët që në kremte familjare mos të shkrepin me armë. Ai thotë se mos përdorimi i armëve parandalon tragjeditë eventuale.
“Ju kisha lutur çdo shqiptari që të mos përdorin armë nëpër fejesa, martesa apo ahengje tjera familjare. Më mirë pa armë e të jenë të lumtur gjatë gjithë jetës, se t’iu ndodhë ndonjë fatkeqësi e të jenë me vaj tërë jetën, për fëmijën apo anëtarin e familjes së humbur. Unë jam tu vuajt. Me gjithë bashkëshorten jam duke vuajtur shumë. Sytë tanë kurrë nuk po teren. Gjithmonë janë me lot” tha ai.
Në lidhje me numrin e të vrarëve dhe të lënduarve në pesë vitet e fundit, si pasojë e përdorimit të armëve në ahengje familjare, Radio Kosova ka pyetur Policinë e Kosovës. Deri në përgatitjen e këtij materiali, nga Policia nuk kanë kthyer përgjigje konkrete, përkundër pritjes disa ditore.
“Referuar kërkesës suaj keni të dhënat e përgjithshme siç vijojnë: Policia e Kosovë për vite me radhë realizon projekte, fushata sensibilizuese, plane operacionale që ndërlidhen me parandalimin dhe konfiskimin e armëve ilegale. Ndër vite Policia konfiskon rreth 1200-1500 armë të ndryshme ilegale dhe me rreth 30-40 mijë municion të kalibrave të ndryshëm”, thuhet në përgjigjen e Policisë, ku theksohet se gjatë vitit 2022 janë konfiskuar 1 mijë e 473 armë.
Me qëllim të parandalimit të përdorimit të armëve në ahengje, Ministria e Punëve të Brendshme, më 30 qershor filloi fushatë “Festo me zemër, jo me armë”. Në kuadër të fushatës që realizohet prej vitesh, e sivjet do të zgjasë dy muaj, do të zhvillohen aktivitete të ndryshme vetëdijësuese.























