Haradinaj kritikon qeverinë për raportet me aleatët dhe kategoritë e luftës
A.B / RTKlive
(e plotësuar, ora 12:40) Grupi Parlamentar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës ka vazhduar ciklin e diskutimeve, të cilat fokus kanë, siç thotë kjo parti, situatën e rëndë politike në Kosovë.
Në tryezën e sotme të tretë, u diskutua me përfaqësues të shoqatave të dala nga lufta, shoqatat e të burgosurve politikë, shoqatat e të pagjeturve si dhe udhëheqës të UÇK-së.
Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, pati kritika në adresë të qeverisë lidhur me raportet e fundit me faktorin ndërkombëtar dhe ligjin për pagën minimale që lë jashtë kategoritë e luftës.
“Qeveria e Kosovës, ka ngulur thikë pas shpinave për dy vlerat tona sublime, aleatëve ndërkombëtar dhe kategorive të dala nga lufta”, tha ai.
Kurse Xhavit Jashari, nga Shoqata e Familjeve të Dëshmorëve të UÇK-së, ka thënë se do të presin vendimin e Gjykatës Kushtetuese për Ligjin për pagën minimale, që më pastaj të ndërmarrin veprimet e mëtutjeshme. Ai tha se pa sakrificën që e kemi bërë, sot nuk do të kishim lirinë e Kosovës.
(E plotësuar, ora 12:20) Grupi Parlamentar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) , ka filluar tryezën në të ciliën po marrin pjesë shoqatat e dala nga lufta, shoqatat e të burgosurve politikë dhe të pagjeturve dhe ish-udhëheqës të UÇK-së.
AAK mban tryezë diskutimi për situatën politike në vend
Grupi Parlamentar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, sot mban tryezë diskutimi me shoqatat e dala nga lufta, shoqatat e të burgosurve politikë dhe të pagjeturve dhe ish-udhëheqës të UÇK-së.
“Grupi Parlamentar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, ka kohë që ka filluar një cikël diskutimesh për situatën e rëndë politike në Kosovë dhe modalitetet e mundshme për të dalë nga kjo situatë, me pjesëmarrës nga jeta publike, ekspertë të fushave, përfaqësues të shoqërisë civile dhe mediave”, njofton AAK.
Tryeza mbahet në ndërtesën e Kuvendit të Republikës së Kosovës.
Ndryshe AAK edhe javën e kaur ka mbajtur tryze të tillë me akterë të tjerë në vend.























