Keqmenaxhimi me mbeturinat|Video
BKT
Kosovë

Keqmenaxhimi me mbeturinat|Video

Fatos Cervadiku /RTK

E në këto ditë me vapë qytetarët po i shqetësojnë edhe mbeturinat e shumta. Në disa lagje të kryeqytetit, qytetarët ankohen për grumbullimin e mbeturinave dhe mungesën e kontejnerëve. Për shkak të kësaj, qytetarët detyrohen që shpesh mbeturinat t`i hedhin në tokë. Për të zgjidhur këtë situatë, Komuna e Prishtinës ka tenderuar një projekt për shtimin e kontejnerëve.

Me mbeturina të shumta dhe erë aspak të këndshme, duket rruga afër Tregut të Gjelbër në kryeqytet, pa përjashtuar lagjet e tjera, për të cilat qytetarët ankohen.

"Që 10 vjet është kështu. Vijnë prej pazari këtu, sjellin speca, patlixhana, bostan, pjepra, krejt këtu i gjuajnë", deklaroi Hasan Matoshi, qytetar.

"Vallai shumë keq, shumë po qesin mbeturina në tokë. Plaka, të reja krejt po i bëjnë, veç po i gjuajnë. Ngado që sillesh shportat janë plot me mbeturina", ankohen qytetarët.

Kjo pamje nuk po u lë përshtypje të mirë as turistëve që frekuentojnë zonën e Prishtinës së vjetër.

"Kam jetuar në vende të ndryshme për 15 vjet. Kolumbia dhe vendet e tjera, por ato nuk e kanë pasur këtë problem. Nuk e kuptoj problemin, nuk është te njerëzit, por te qeverisja. Ju të gjithë duhet të shkoni te komuna dhe të thoni "mjaft është mjaft", tha Rayan Castanio, shtetas i huaj.

Për shkak të mungesës së kontejnerëve, qytetarët shpesh detyrohen që mbeturinat t’i hedhin në tokë. Komunarët thonë se zgjidhjen do ta gjejnë me shtimin e kontejnerëve.

“Jemi në proces të tenderimit për furnizim me mbi 1000 kontejnerë, gjithashtu edhe me 8 kamionë për grumbullimin e mbeturinave”, tha Ilirik Musliu, drejtor komunal i Shërbimeve Publike

Në kompaninë “Pastrimi” e pranojnë se ka mungesë të kontejnerëve, por tregojnë se janë duke e realizuar një plan emergjent për menaxhimin e mbeturinave deri në shtator.


MË SHUME NGA Kosovë