Konjufca: Austria përkrahëse e Kosovës në rrugën e integrimit euroatlantik
M.P / RTKlive
Kryetari i Kuvendit Glauk Konjufca priti në takim lamtumirës ambasadorin e Austrisë, Christoph Weidinger. Si shtyllë e bashkëpunimit ndërshtetëror u veçuan legjislaviti dhe diplomacia parlamentare.
“Kryetari Konjufca falënderoi ambasadorin Weidinger për kontributin e tij në fuqizimin e partneritetit dhe thellimin e marrëdhënieve dypalëshe, si dhe për mbështetjen e vazhdueshme që Austria i ka dhënë Republikës së Kosovës në të gjitha proceset e shtetndërtimit”, thuhet në komunikatën për media.
Ambasadori Weidinger gjatë takimit rikonfirmoi gatishmërinë për intensifikimin e bashkëpunimit të ndërsjellë mes dy shteteve.
“Kreu i Kuvendit vlerësoi lart rolin e Austrisë mike si një partnere e rëndësishme dhe përkrahëse e fuqishme e Kosovës në rrugën e integrimit euroatlantik”, njoftoi zyra për marrëdhënie me publikun në Kuvendin e Kosovës.























