Murati: Me ligjin e ri hiqet diskriminimi ndaj pensionistëve të Kosovës
A.B/RTKlive
(E plotësuar, ora 15:00) Ministri i Financave, Hekuran Murati, tha para deputetëve se ka qenë zotim i qeverisë dhe kërkesë e pensionistëve, që të hiqen 15 vitet si kriter për të përfituar pensione.
“Në bazë të përllogaritjes që kemi bërë parashihet që në skemën parciale të kalojnë rreth 70 mijë persona. Periudha nga largimi nga puna konsiderohet si periudhë e punës për hir të njohjes së kontributit 15-vjeçar. Si impakt buxhetor vlerësohet të jetë diku 60 milionë euro në vit. Është e nevojshme të bëhet edhe llogaritja e kostove për 50 vite. Dhe kostoja ka dalë të jetë rreth 1.3 miliard euro për këto 50 vite”, ka theksuar ministri Murati para deputetëve.
Ai bëri me dije se janë në program më FMN. “Nuk ka qenë e lehtë, me ligjin e ri për pensione njëherë e përgjithmonë hiqet diskriminimi ndaj pensionistëve të Kosovës”, deklaroi Murati.
Kuvendi shqyrton projektligjet për pensione dhe zyrtarët publikë
Kuvendi i Kosovës ka filluar seancë të jashtëzakonshme.
Në këtë seancë janë dy pika në rend të ditës, shqyrtimi i parë i Projektligjit nr. 08/L-248 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr.04/L131 për Skemat pensionale të financuara nga shteti dhe shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.08/L-239 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr.06/L-114 për zyrtarët publikë, i ndryshuar dhe plotësuar me Ligjin nr.08/L-128.
Kryetarja e grupit Parlamentar të VV-së, Mimoza Kusari-Lila arsyetoi mbajtjen e seancës së jashtëzakonshme.
Kurse Arben Gashi nga LDK-ja, adresoi kritika ndaj pozitës për shpejtësinë e projektligjeve. Sipas tij nuk është e arsyeshme që të ketë seancë të jashtëzakonshme.
Edhe Besnik Tahiri nga AAK, tha se nuk është në rregull me këto seanca. Sipas tij, këto seanca të sotme nuk janë të jashtëzakonshme. Tahiri tha se kjo është një logjikë e mbrapshtë, raproton RTKlive.
Po ashtu për sot është paralajmëruar edhe një seancë e jashtëzakonshme, ku në rend të ditës është shqyrtimi i dytë i Projektligjit nr.08/L-224 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr. 06/L-005 për tatimin në pronën e paluajtshme.
























