Heroi Hazir Kryeziu përkujtohet në 25 vjetorin e rënies në Malishevë
BKT
Kosovë

Heroi Hazir Kryeziu përkujtohet në 25 vjetorin e rënies në Malishevë

M.P. / RTKlive

Në 25 vjetorin e rënies është përkujtuar dëshmori i kombit, Hazir Selman Kryeziu, nga fshati Bubavec i Komunës së Malishevës.

Përkujtimi ka nisur me homazhe në varrezat e dëshmorëve në Malishevë, ku është i varrosur edhe dëshmori Hazir Kryeziu. Tutje ka vazhduar me akademinë përkujtimore dhe filmin dokumentar “Pushtuesit-Pushkën n’Ball”, ku pasqyrohet në tërësi jeta, veprimtaria dhe lufta, deri në rënien e tij më 28 korrik 1998.

“Ne do të vazhdojmë me angazhimin për mbështetjen e vlerave të luftës së shenjtë të UÇK-së dhe respektimin e këtyre vlerave, në veçanti për dëshmorët e kombit që dhanë jetën për lirinë e vendit”, tha gjatë ceremonisë kryetari i Malishevës, Ekrem Kastrati nën patronazhin e së cilit u mbajt përkujtimi.

Fjalë rasti kanë mbajtur edhe deputeti i Kuvendit të Kosovës, Gani Krasniqi, kryesuesi i Kuvendit të Komunës së Malishevës, Argjend Thaçi, kryetari i degës së OVL të UÇK-së në Malishevë, Metush Kryeziu, shkrimtari Daut Demaku dhe drejtori i shkollës “Dëshmorët e fshatit Bubavec”, Selim Kryeziu, të cilët kanë folur për rëndësinë e luftës së UÇK-së dhe kontributin e dëshmorit.


MË SHUME NGA Kosovë