Guri, simbol i Nënës Pashkë, u hodh sot në plehra te varrezat e Gjakovës
BKT
Kosovë

Guri, simbol i Nënës Pashkë, u hodh sot në plehra te varrezat e Gjakovës

Islam Haxhiu/RTK

Guri përkujtimor i Nënës Pashkë, i cili ditë më parë u largua nga Korrenica e Gjakovës, vendi ku ishte vendosur si simbol i vetëflijimit sot u zhvendos te mbeturinat në afërsi të varrezave të komunës së Gjakovës. Ndërkohë që ndërhynë institucionet duke e dërguar atë përkohësisht në kompleksin memorial në Mejë.

E premtja e gjeti gurin që simbolizonte vetëflijimin e nënës Pashkë në plehrat e Gjakovës. Largimi dhe hedhja në këtë vend i ka lënë pa fjalë familjarët e saj. Ata thonë se këtë punë tashmë ua kanë lënë në dorë institucioneve.

Aktin e pronarit i cili e ka larguar gurin përkujtimor nga prona e tij, qytetarët po vlerësojnë si të papranueshëm.

Pas largimit të gurit, i menjëhershëm ka qenë edhe reagimi i institucioneve shtetërore dhe Policisë së Kosovës. Guri përkohësisht është bartur dhe zhvendosur në Kompleksin Memorial në Meje.

Historia e dhimbshme e Pashkë Markut nuk është e panjohur në Kosovë. Më 27 prill 1999, në masakrën e Mejës së bashku me 372 martirë, ranë edhe dy djemtë e saj, trupat e të cilëve u kthyen dhe u rivarrosen në vitin 2003. Pas rivarrimit ndodhi vetëflijimi i kësaj Nëne që tashmë është kthyer në simbol.


MË SHUME NGA Kosovë