Vlerësimi i amendamenteve, Kushtetuesja i jep të drejtë të Konjufcës
M.Miftari/RTKlive
Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës ka vendosur lidhur me kërkesën në rastin e parashtruar nga Kuvendi i Republikës së Kosovës, lidhur me vlerësimin e përputhshmërisë me Kushtetutën e Republikës së Kosovës të amendamentit të propozuar kushtetues.
Kërkesa është parashtruar nga Kryetari i Kuvendit të Kosovës dhe është dorëzuar në Gjykatë, më 21 dhjetor 2022, bazuar në paragrafin 9 të nenit 113 [Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës, sipas të cilit, Kryetari i Kuvendit të Kosovës duhet të referojë amendamentet kushtetuese të propozuara për vlerësimin e Gjykatës Kushtetuese para miratimit në Kuvend, me qëllim që të konstatohet nëse amendamenti i propozuar kushtetues i pakëson të drejtat dhe liritë e garantuara me Kapitullin II [Të Drejtat dhe Liritë Themelore] të Kushtetutës.
“Gjykata, njëzëri ka vendosur që të (I) deklarojë kërkesën të pranueshme dhe të konstatojë që (II) amendamenti i propozuar i nenit 22 [Zbatimi i drejtpërdrejtë i Marrëveshjeve dhe Instrumenteve Ndërkombëtare] të Kushtetutës, përmes të cilit, listës së marrëveshjeve dhe instrumenteve ndërkombëtare drejtpërdrejtë të aplikueshme në Republikën e Kosovës i shtohet edhe Konventa e Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Personave me Aftësi të Kufizuara, nuk pakëson të drejtat dhe liritë themelore të garantuara me Kapitullin II [Të Drejtat dhe Liritë Themelore] të Kushtetutës”, thuhet në njoftimin e Gjykatës Kushtetuese.
Gjykata gjithashtu vuri theks në detyrimet pozitive që merr përsipër Republika e Kosovës përmes këtij amendamenti kushtetues, duke pasur parasysh që Konventa e Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Personave me Aftësi të Kufizuara përcakton edhe detyrime specifike pozitive ndaj shteteve, ndër tjerash, për ndërmarrjen e (I) masave të nevojshme legjislative; si dhe (II) masave të tjera, duke krijuar mekanizma në funksion të zbatimit të plotë të Konventës në fjalë.























