‘Shijo Kosovën’, pulla e re postare si mirëseardhje për bashkatdhetarët
BKT
Kosovë

‘Shijo Kosovën’, pulla e re postare si mirëseardhje për bashkatdhetarët

M.P / RTKlive

Posta e Kosovës ka lansuar pullën postare “Shijo Kosovën” me dedikim ndaj bashkatdhetarëve. Fakete Kadiu, menaxhere e Filatelisë në Postë, ka thënë në magazinën “Info Plus” në RTK, se kjo nuk është forma e vetme e këtij institucioni si mirënjohje ndaj tyre.

“Është nderim dhe mundësi që t’i kthehemi pak tradicionales. Janë shumë aktivitete të ndryshme për nder të diasporës. Pulla e Kosovës nuk do të jetë vetëm me këtë pullë postare por me aktivitete të mobilierisë”, ka deklaruar Kadiu.

Kadiu tutje tha se ata insistojnë që nëpërmjet kësaj pulle postare, të ketë rikthim në dërgesa të letrave dhe kartolinave si dhuratë.

“Ishte një ndjenjë nostalgjie dhe shumë e bukur e qytetarëve. Natyrisht që s’është pak përmes pullës postare të shënohet kontributi i secilit prej nesh sepse pullat postare në një mënyrë e përcjellin çdo ngjarje të zhvillimit të një vendi. Në rastin konkret kjo është një simbolikë e gjithë falënderimeve ndaj bashkatdhetarëve tanë”, u shpreh Kadiu në RTK.

Pullat më të kërkuara sipas Kadiut janë ato që shënojnë shtetësinë sikurse ato të pavarësisë, 25 vjetori i epopesë së UÇK-së dhe përvjetore të tjera. Ndërkaq, fushat që më së shumti mbizotërojnë janë sporti dhe arti. Ndër personalitetet që e mbajnë gjithnjë nivelin e kërkueshmërisë janë Besim Sahatçiu, Nëna Terezë, Bekim Fehmiu, Faruk Begolli, Leze Qena dhe shumë emra të tjerë.  


MË SHUME NGA Kosovë