MINT inkurajon që të aplikohet për inspektorë të tregut
B.H. RTKlive
Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT), do të punësojë 27 inspektorë të tregut, për të rritur mbikqyrjen e tregut dhe cilësinë e shërbimeve për qytetarët dhe bizneset në Republikën e Kosovës. Konkursi për këta inspektorë është hapur sot.
“Inspektorati i Tregut në kuadër të MINT, që nga themelimi e deri më tani, është duke funksionuar me vetëm 15 inspektorë të tregut në tërë territorin e Republikës së Kosovës, kurse me pranimin e 27 inspektorëve të rinj, do të funksionojë me 42 inspektorë të tregut. Me mbikëqyrjen e përmirësuar të tregut, me shërbime profesionale për qytetarët dhe bizneset, MINT synon që tregu të funksionojë më mirë, me rregulla të barabarta, sigurojë që produktet dhe shërbimet në treg të jenë të sigurta për konsumatorët, në mënyrë që të rritet drejtësia dhe transparenca në tregun e brendshëm”, thuhet në njoftimin e kësaj ministrie.
MINT inkurajon të gjithë aplikuesit potencial që plotësojnë kualifikimet minimale, të aplikojnë në konkurs, pasi kjo është një mundësi e mirë për të filluar një karrierë në fushën e inspektimit të tregut dhe të zhvillimit profesional.























