Linjat urbane të mbingarkuara, ankohen udhëtarët |Video
Valjeta Shala / RTK
Mbingarkimi i autobusëve urbanë është paraqitur si shqetësim nga qytetarët. Linja Prishtinë-Fushë Kosovë po konsiderohet si më e ngarkuara, derisa nga Trafiku Urban thonë se kjo do të zgjidhet me ardhjen e autobusëve të rinj.
Qytetarët që shpesh presin kohën për t’u nisur në destinacionin e caktuar dhe për të zënë një vend, ankohen për mbingarkesë dhe kërkojnë shtim të numrit të autobusëve.
Për këtë situatë foli edhe Maliq Berisha, drejtor i Shërbimeve Publike në Fushë Kosovë.
“Ne çdo veprim e bëjmë me koordinim me Prishtinën dhe Ministrinë e Transportit. Në linjën Prishtinë - Fushë Kosovë operojnë 9 autobusë nga Fushë Kosova dhe 9 nga Prishtina. Muaj më parë ne kemi kërkuar nga Prishtina që të bëjmë një rritje se paku edhe 2 autobusë. Përderisa nga Trafiku Urban kanë lajmëruar që nuk ka autobusë të gatshëm, ka mbet në proces dhe kurdo që të jenë të gatshëm ata edhe ne jemi të gatshëm të arrijmë marrëveshje me ta”, ka thënë Berisha.
Nga Ndërmarrja Publike Komunale e Trafikut Urban në Prishtinë, në përgjigje me shkrim për RTK-në thanë se faktorët kryesorë të rritjes së theksuar të numrit të qytetarëve janë: pako e re e biletimit, lirimi nga pagesa e disa kategorive, komoditeti i shërbimit si dhe zgjatja e orarit të qarkullimit të autobusëve deri në orën 24:00.
Sipas Trafikut Urban, me ardhjen e kontingjentit të ri të autobusëve do të shikohet mundësia e shtimit të numrit të autobusëve edhe në këtë linje.























