Operacioni "Goditja", brenda 3 ditësh konfiskohen 5 armë në Pejë
M.Sh/RTKlive
Gjatë zhvillimit të operacionit “Goditja” Policia Rajonale në Pejё, brenda tri ditësh ka konfiskuar 5 armë dhe sekuestruar 47 copë municioni. Sipas një njoftimi për medie, policia brenda tri dite ka ndaluar më shumë se 600 vetura, dhe ka kontrolluar 10 lokale ku ka frekuentim të madh të qytetarëve.
Sipas njoftimit të policisë, në zbatim të planit operativ "Goditja", nga data 08.08.2023, janë përfshirë të gjitha stacionet policore, ndërsa aksioni po zhvillohet kryesisht në zonat ku ka më shumë lokale, kafiteri, bare nate, tё cilat frekuentohen mё shumё nga qytetarёt.
“Gjatё kёtyre angazhimeve nё terren pёr tre (3) ditё janё realizuar: 125 patrulla policore; 117 pika tё kontrollit tё automjeteve; 644 vetura; janё legjitimuar 480 persona; janё kontrolluar 10 lokale tё ndryshme; janё realizuar 44 pika kontrolli me radar dhe alkool test; janё arrestuar 11 persona; janё sekuestruar 47 copё municion dhe; janё sekuestruar 5 armë”, njofton policia.
Drejtoria Rajonale e Policisë në Pejë, me këtë rast fton të gjithë qytetarët që tё vazhdojnë nё bashkëpunimin me policinë, me qëllim të krijimit të një ambienti sa më të sigurt për të gjithë.























