AGK kundër fushatës ndaj ‘Nacionale’: Gazetarët të punojnë pa u penguar
BKT
Kosovë

AGK kundër fushatës ndaj ‘Nacionale’: Gazetarët të punojnë pa u penguar

M.P. / RTKlive

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës ka reaguar pas fushatës linçuese ndaj portalit “Nacionale”, ku në Prizren janë bërë thirrje për bojkotim të mediumit në krye me drejtuesin Berat Buzhala dhe Vullnet Krasniqi.

AGK nëpërmjet një reagimi ka thënë se ky veprim i vë në cak të sulmeve gazetarët dhe rrethin e tyre.

“Për Asociacionin e Gazetarëve të Kosovës, një veprim i tillë është krejtësisht i papranueshëm dhe i vë në cak të sulmeve si online ashtu edhe fizike, gazetarët dhe familjarët e tyre”, thuhet në reagimin e tyre.

Tutje ata kanë bërë thirrje ndaj Policisë së Kosovës për largim të pankartave në të cilat ka gjuhë të urrejtjes ndaj gazetarëve.

“AGK-ja, njëherësh bën thirrje që fushatat e tilla denigruese të ndalen, në mënyrë që gazetarët dhe mediet të kenë mundësi të ushtrojnë profesionin e tyre pa u penguar”, ka deklaruar AGK.

Në pankartën e vendosur në Prizren fotografitë e Krasniqit dhe Buzhalës janë shoqëruar me mbishkrimin “Drejtësi për popullin, dënim për përçarësit. Bojkoto Nacionale. Liria e shprehjes merr fund tek ofendimi”.

Gazetari Vullnet Krasniqi ditë më parë përjetoi dhunë dhe u pengua në raportim nga qytetarët protestues kundër festivalit të filmit të shkurtër dhe dokumentar, “Doku Fest”.


MË SHUME NGA Kosovë