AGK reagon për sulmin ndaj kameramanit Sefa: Policia të hetojë rastin
M.P. / RTKlive
Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës ka reaguar pas sulmit fizik që ka përjetuar kameramani i portalit “Lajmi.net”, Zgjim Sefa.
Sefa ishte duke xhiruar aksionin e KRU 'Prishtina' për shkyçjen e borxhlinjve nga rrjeti i ujësjellësit në Shtime, teksa nisi sulmi ndaj tij.
“Në pamjet e publikuara shihet se si një person i fyen dhe shanë gazetarët që kanë shkuar ta përcjellin ngjarjen, përderisa zyrtarët e Policisë së Kosovës e largojnë dhe i thonë të mos përdorë gjuhë të tillë”, thuhet në reagimin e AGK-së.
Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës i bënë thirrje Policisë së Kosovës që të hetojë rastin në mënyrë që mediet të ushtrojnë profesionin e tyre pa u penguar.
“Gjatë momentit të incizimit, një person e ka shtyrë kameramanin tonë në prani të Policisë së Kosovës. Madje edhe gazetarit që ishte duke përcjellë këtë ngjarje, Zgjim Sefës, i njëjti ka tentuar t’ia marrë mikrofonin”, thuhet në raportimin e Lajmi.net rreth kësaj rasti.























