Rrethrrotullimi i aksidenteve, dy raste me viktima
Fatos Cërvadiku/ RTK
Gjatë stinës së verës në Kosovë shtohet numri i aksidenteve në trafik, ndër tjerash edhe për shkak të ardhjes së bashkatdhetarëve. Madje, vetëm në rrethrrotullimin e madh në hyrje të Prishtinës, nga janari deri në gusht të këtij viti, kanë ndodhur 69 aksidente. I fundit ia mori jetën një të riu 17 vjeç.
Aksidente trafiku me humbje jetë njerëzish janë shkaktuar ndër vite në këtë rrethrrotullim në hyrje të Prishtinës. I fundit ndodhi ditë më parë, kur një veturë ra nga rrethrrotullimi. Njëri nga këta tre persona nuk ka arritur t’u mbijetoj plagëve, ku si pasojë më pas ka vdekur.
Por vite më parë, në një aksident të ngjashëm në këtë rrethrrotullim, humbën jetën gjithashtu katër persona. Ekspertë të komunikacionit deklarojnë se shkaku kryesor është mungesa e ndriçimit dhe e semaforëve vezullues.
“Shkaku kryesor është sa i përket ndriçimit, nuk është i ndriquar se si duhet të jetë një rrethrrotullim duhet të jetë semaforët vezullues, disa semaforë tre apo katër semaforë me një distancë së paku 500 metra para rrethrrotullimit qe tek shoferët e sidomos shoferët që nuk janë të kësaj pjese, nuk e dinë këtë pjesë, të jetë më i vëmendshëm sa i përket semaforit vezullues”, tha Lavdim Hamiti, ekspert i komunikacionit.
Nga policia e Kosovës, në përgjigje për RTK-në, renditën shkaktarët e aksidenteve në këtë rrethrrotullim.
“Shkaktarë të këtyre aksidenteve janë: - Mospërshtatja e shpejtësisë - Mosmbajtja e distancës - Radhitje e parregullt gjatë ndërrimit të shiritit”, tha policia.
Policia deklaron se nga 1 janari i këtij viti e deri më 16 gusht në këtë rrethrrotullim kanë ndodhur 69 aksidente.























