Ilazi: Buxheti i vogël, hendikep për Komunën e Kaçanikut
E. Hoti / RTKlive
Kryetar i Komunës se Kaçanikut, Besim Ilazi ka folur për investimet dhe projektet kapitale në këtë komunë. Në emisionin “Mirëmëngjesi Kosovë” në RTK, ai tha se shqetësim mbetet buxheti shumë i vogël që nuk po arrihet të realizohen projektet e qytetarëve.
Ilazi u shpreh se në vazhdën e punimeve është edhe projekti dyvjeçarë i shëtitores."Kemi filluar vitin e kaluar dhe do të përfundojmë këtë vit renovimin e shëtitores rreth lumit Nerodime”, tha ai në RTK.
Ilazi ka deklaruar se ka një ndotje jashtëzakonisht të madhe të lumit Nerodime, por që shpreson që me iniciativa të ndryshme, edhe të kryetarit të Ferizajt ta zgjidhin sa më shpejtë këtë problem. “Komuna e Ferizajt është ndotësi kryesor i këtij lumit dhe me gjithë përpjekjet deri tani nuk kemi arritur të zgjidhim një problem të tillë”, tha ai.
Tutje Ilazi tha se po presin që Komuna e Ferizajt ta zgjidhë impiantin e tyre që do të ishte një zgjidhje e mirë edhe për qytetarët e Kaçanikut.
“Është shqetësim serioz i qytetarëve që Komunës së Kaçanikut t’i ndahet një hapësirë e territorit për shkak të rënies së ujërave që duhet bërë në këtë komunë”, tha ai.
Ilazi tha se shpreson në realizimin e këtij projekti nga kryetari i Ferizajt në bashkëpunim me Qeverinë dhe me fondet ndërkombëtare sepse sipas tij është një projekt i cili ka kosto të papërballueshme për një komunë.
Sa i përket zhvillimeve të projekteve tjera, Ilazi tha se janë në fazën intensive.“Këtë vit të gjitha projektet që janë proceduar për prokurim kanë përfunduar. Ajo që është shqetësuese është buxheti shumë i vogël i Komunës së Kaçanikut që nuk po arrin t’i realizojë projektet e qytetarëve. Është viti i tretë i kësaj qeverisje që Komuna e Kaçanikut nuk ka përfituar asnjë projekt të ri “ ,potencoi ai.
Sipas tij, të gjitha projektet janë realizuar me buxhetin e Komunës apo me shoqata të ndryshme që kanë՞mundur t’i inkorporojnë në bashkëfinancim.























