Kurti takohet me kryeministrin e Sllovenisë, solidarizohet për përmbytjet
M.P. / RTKlive
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në ish rezidencën presidenciale Vila Bled, takoi për të parën herë homologun e Sllovenisë, kryeministrin Robert Golob, njëherësh shtet nikoqir i Forumit të Sigurisë.
Kryeministri i shprehu keqardhjen për përmbytjet dhe i ofroi solidaritetin e plotë të popullit të Kosovës me popullin slloven për humbjet e shkaktuara nga vërshimet në fillim të këtij muaji.
“Sllovenia ka strehuar disidentët tanë të parë, na ka ndihmuar në betejën tonë çlirimtare dhe tani është ndër pesë investitorët kryesorë në ekonominë tonë, theksoi kryeministri dhe e falënderoi kryeministrin Golob për ndihmën dhe mbështetjen e Sllovenisë për Kosovën ndër vite”, thuhet në komunikatën e kryeministrisë.
Duke folur për potencialin e bashkëpunimit ekonomik, kryeministri Kurti, sipas njoftimit, vuri theksin te mundësitë që Kosova ofron për investitorët huaj. Pozita e përshtatshme gjeografike, politikat e favorshme fiskale, stabiliteti institucional dhe potenciali i fuqisë punëtore e bëjnë Kosovën vend atraktiv për investimet sllovene, tha kryeministri gjersa veçoi sektorët në rritje sikurse ai ICT-TIK, përpunimit të drurit dhe metalit dhe prodhimit të ushqimit.
Në kuadër të temës “Solidaritet për Sigurinë Globale” brenda së cilës po zhvillohet forumi këtë vit, ata diskutuan edhe për bashkëpunimin rajonal, anëtarësimin e Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian dhe dialogun për zbatim të Marrëveshjes Bazike të Brukselit dhe Aneksit të Ohrit.























