Komuna e Gjakovës: Elementet historike të Muzeut kanë shpëtuar
Islam Haxhiu/ RTK
(E plotësuar, ora 22:20) Në orët e para të mbrëmjes, Muzeu i Muzikës në Gjakovë është përfshirë nga flakët. Në vendin e ngjarjes kanë dalë Policia e Kosovës dhe njësitet e zjarrfikëseve të cilët janë në përpjekje për lokalizimin e zjarrit.
Sheremet Elezaj, zëdhënës i policisë për rajonin e Gjakovës përmes një komunikate me shkrim e ka konfirmuar ngjarjen. Sipas tij njësitet policore janë akoma në vendin e ngjarjes e po ashtu edhe njësitet e zjarfiksëve.
Elezaj konfirmoi se përveç dëmeve materiale fatmirësisht viktima në njerëz nuk ka.
Në vendin e ngjarjes po ashtu janë parë edhe zyrtarët komunalë në mesin e tyre edhe kryetari i Gjakovës, Ardian Gjini i cili nuk deshi të prononcohej.
Ndërkaq përmes një reagimi në Facebook zyrtarët për informim pranë komunës së Gjakovës thanë se ajo çka ka ndodhur sonte në objektin e Tabhanes, është një lajm i keq për Gjakovën."Ndërsa e mira e gjithë kësaj është se në objektin e djegur nuk ka qenë asnjë artefakt i muzikës që do të thotë se të gjitha elementet që kanë vlera artistike e historike kanë shpëtuar. Si komunë presim hetimin e policisë për të kuptuar shkakun e zjarrit, thuhet në reagimin përmes Facebookut të zyrtarëve për informim të Komunës së Gjakovës.
Muzeu i Muzikës në Gjakovë përfshihet nga zjarri
F.Sertolli / RTKlive
Pamjet e shpërndara nga banorë e të tjerë e kanë treguar muzeun i cili është kapluar tërësisht nga flakët.
Zëdhënësi i policisë për rajonin e Gjakovës, Sheremet Elezaj bëri të ditur për RTKlive se njësitet policore dhe ato të zjarrfikësve kanë dalë në vendngjarje, dhe se nuk dihen ende shkaqet për zjarrin.
“Është njoftuar prokurori, hetimet janë në fazën fillestare, ende nuk kemi indicie as dyshimet mbi shkaqet e zjarrit. Mbetet të pritet raporti i ekspertit të zjarreve ndërsa hetimet do të zhvillohen nga sektori rajonal i hetimeve”, ka thënë ai për RTKlive.
Kurse zëvendësministri i Zhvillimit Rajonal, Ali Tafarshiku, përmes një postimi në "Facebook", e ka fajësuar kryetarin e Komunës së Gjakovës për këtë zjarr.























