GLPS: Efikasiteti i rekrutimit për pozita drejtuese mjaft i ulët
BKT
Kosovë

GLPS: Efikasiteti i rekrutimit për pozita drejtuese mjaft i ulët

M.P / RTKlive

Grupi për Studime Juridike dhe Politike nëpërmjet një raporti ka matur efikasitetin e procedurave për rekrutimin e pozitave të larta e drejtuese. Sipas raportit për konkurset e shpallura gjatë viteve 2021-2022, efikasiteti cilësohet të jetë mjaft i ulët për shkak të dështimeve të procedurave, mos besimit të kandidatëve potencial e një sërë arsyesh tjera.

Raportin “Efikasiteti i procedurave të rekrutimit të pozitave të larta për procedurat e shpallura në periudhën 2021-2022” përfaqësuesit e GLPS-së e kanë shpalosur në një konferencë për media.

Në këtë periudhë janë shpallur gjithsej 28 procedura për pozitat e larta drejtuese, 22 nga ta kanë qenë në institucionet e administratës shtetërore, ndërkaq 6 në agjencitë e pavarura.

“Në Kosovë, efikasiteti i procedurave të rekrutimit për plotësimin e pozitave të lira në nivelet e larta drejtuese për periudhën 2021-2022 ka qenë mjaft i ulët. Disa nga arsyet kryesore për këtë janë: dështimet e shpeshta të procedurave dhe përsëritja e tyre, anulimi i procedurave, mos emërimi i kandidatëve fitues dhe vazhdimi i ushtrimit të pozitës me ushtrues detyre, mosbesimi i kandidatëve potencial në proceset e rekrutimit dhe rrjedhimisht numri i vogël i kandidatëve”, thuhet në raport.

Sipas tyre shqetësuese mbetet përsëritja e shpeshtë e procedurës, ku më së shumti ka shkuar deri në 5 herë. Analiza reflekton edhe mbi një sfidë që është e përhapur pothuajse në të gjitha institucionet, e që është ulja e interesimit të kandidatëve. Për dy vitet, mesatarja është 1.9 kandidat për procedurë.

“Sa i përket kohëzgjatjes së procedurave, më e gjata ka qenë rekrutimi i sekretarit të përgjithshëm të Ministrisë së Drejtësisë. Kjo procedurë është përsëritur 5 herë dhe ka zgjatur 25 muaj, afërsisht 2.4 vite. Ndërsa procedura më e shkurtër ka qenë rekrutimi i drejtorit të përgjithshëm në Agjencinë për Ndihmë Juridike Falas me 2.4 muaj apo afërsisht 0.2 vite”, njofton GLPS.


MË SHUME NGA Kosovë