Apeli: Paraburgimi në rastin e “rezerva shtetërore” ishte i paligjshëm
M.Sh/RTKlive
Departamentit Special i Gjykatës së Apelit të Kosovës ka aprovuar si të bazuar ankesat e mbrojtësve të pandehurve, Irfan Lipovica, Haviz Gara dhe Ridvan Muharremi të arrestuar për rastin e rezervave shtetërore, ndërsa aktvendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë e ka ndryshuar, duke i lënë në mbrojtje në liri.
“Gjykata e Apelit e Kosovës -Departamenti Special i ka aprovuar si të bazuara ankesat e mbrojtësve të pandehurve I.L, H.G dhe R.M, ndërsa aktvendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë - Departamenti Special të datës 19.08.2023 e ka ndryshuar, ashtu që të pandehurve u është ndërprerë masa e paraburgimit dhe të njëjtit janë liruar për t’u mbrojtur në liri”, thuhet në vendimin e Apelit.
Në arsyetim të aktvendimit, Apeli ka theksuar se gjykata e shkallë së para nuk ka arritur që të vërtetojë dyshimin e bazuar së të pandehurit kanë kryer veprat penale për të cilat dyshohen.
“... nuk është arritur që të argumentohet në fuqinë provuese të provave, se me veprimet e të pandehurve është arritur që të ketë dyshim për veprat penale dhe me ketë, gjykata vetëm ka potencuar kronologjinë e ngjarjes, mirëpo nuk ka dhëne vlerësim dhe arsyetim mbi fakte të cilat janë paraqitur në kërkesën për caktimin e paraburgimit”, thuhet në vendimin e Apelit.
Gjykata e shkallë së pare thuhet se ka tejkaluar kompetenca e vlerësimit e parapara sipas normave ligjore, “nga fakti se gjykata në aktvendimin e ankimuar është lëshuar në vlefshmërinë e ligjshmërisë se ligjeve (administrative), vendimeve të qeverisë, si dhe në nxjerrjen e konkluzioneve të elementeve subjektive të dashjes në lidhje me veprat penale të cilat pretendohet të jene kryer nga ana e të pandehurve”.
Kujtojmë se më 19 gusht, Gjykata Themelore në Prishtinë ua kishte caktuar nga një muaj paraburgim të pandehurve, Haviz Gar dhe Irfan Lipovica dhe Ridvan Muharremi, të arrestuar për rastin e rezervave shtetërore.























