Vushtrria rikthen vendimin për mbylljen e bizneseve të dielave
M.P. / RTKlive
Komuna e Vushtrrisë, përkatësisht Drejtoria për Inspektime kanë rikthyer vendimin për mbylljen e bizneseve të dielave dhe ditëve të festave zyrtare.
Kategoritë të cilave iu ndalohet puna në këtë ditë janë dyqanet zejtare dhe me veprimtari të ngjashme, qendrat tregtare e marketet, autosallonet, depot, tregjet e qytetit, ndërtimaritë, minierat e guroret, veprimtaritë financiare dhe të sigurimit dhe ato të patundshmërisë. Nga vendimi përjashtohen vetëm bizneset të cilave nuk mund t’u ndalohet procesi i përpunimit dhe prodhimit.
Ndërkaq furrat e bukës do të mbesin të hapura të dielave deri në orën 12 të ditës.
“Të gjitha veprimtaritë afariste – bizneset do të gjobiten nga 300 deri në 1,000 euro në qoftë se veprojnë në kundërshtim me dispozitat e kësaj rregulloreje”, njofton komuna.























