Pjesëmarrës nga 20 vende të botës vrapuan në vargmalet e Sharrit
Myrvete Axhami | RTK
Me qëllim të promovimit të bukurive natyrore të maleve të Kosovës, në Malet e Sharrit u organizua edicioni i garave në vrap, ku morën pjesë mbi 150 vrapues nga 20 shtete të botës.
"Këtë vit për edicionin e dytë, jemi shumë të gëzuar se kemi më shumë vrapues nga shumë vende të botës. Janë diku rreth 160 vrapues që po marrin pjesë dhe jemi shumë të gëzuar që në këtë formë po e promovojmë Kosovën nëpërmjet një sporti i cili në botë ka filluar të jetë shumë i njohur", tha Uta Ibrahimi organizatore.
Vrapuesit që përshkruan tri shtigje të garave vlerësojnë pejsazhin e bukur. "Shtegu 22 kilometërsh është shumë i bukur", tha Kuqe Braha, vrapuese. Derisa vrapuesi Taulant Tanushaj u shpreh: "Shtegu është i mirë, është natyrë e bukur, ndërsa ne jemi një grup që e bëjmë vrapimin vetëm për qejfi".
Astrit Desku tha se terreni malor me ngjitje të shumta e mandej zbritje e bën edhe më interesante dhe më atraktive garën.
Si çdo garë tjetër edhe vrapimi malor "High Scardus Ultra Trail" ka sfidat e veta, por gjithçka shkoi mirë. Kjo garë u organizua për herë të dytë, ndërsa tashmë do të jetë tradicionale. Në organizimin e saj u angazhuan ekipet nga TREX Maqedoni, Shoqata e Bjeshkatarëve Sharri në Prizren, ekipet e kërkim shpëtimit të Kosovës, FSK-ja, Policia e Kosovës dhe vullnetarë të tjerë që u përkujdesën që gjithçka të shkojë mirë në këtë garë.























