Në pamundësi të aplikimit online, nxënësit në shkollë shkojnë pa libra
BKT
Kosovë

Në pamundësi të aplikimit online, nxënësit në shkollë shkojnë pa libra

Albulena Bytyqi/Radio Kosova

Java e parë e shtatorit shumë nxënës i ka gjetur të papërgatitur për sa i përket sigurimit të teksteve shkollore. Por, ata të cilët e vuajnë më shumë këtë fillim të vitit të ri shkollor, janë familjet në gjendje të rëndë ekonomike që jetojnë në lagjen “Fusha e Pajtimit” në kryeqytet, të cilët nuk kanë pasur mundësi aplikimi online për subvencionimin e teksteve. Për Radio Kosovën ata treguan se fëmijët e tyre kanë shkuar në shkollë pa libra e fletore.

Përveç teksteve shkollore të cilat s’ka mundur t’ua sigurojë fëmijëve të saj, sepse nuk kishte mundësi aplikimi online për shkak të gjendjes së rëndë ekonomike, Selvie Haliti tha se nuk pati mundësi që as t’u blinte as çantë e as fletore fëmijëve të saj në fillim të vitit të ri shkollor. Ajo në një prononcim për Radio Kosovën ka thënë se janë në gjendje të rëndë sociale dhe se nuk mund t’ua sigurojë mjetet shkollore fëmijëve të saj.  

“Librat nuk i kanë. Nuk kam pasur mundësi të aplikoj se nuk kam kompjuter. Nuk kemi kushte, s’kam pasur mundësi m’i ble as librat e as fletoret, as çantën e as veshmbathje. Jemi shtatë anëtarë të familjes; burri punon me hekura ka 5 euro, edhe këto a mund t’i fitojë a jo. Problem është, skamje e madhe, qysh me ia dal!”, ka deklaruar ajo.

Ndërsa, disa banore të tjera i thanë Radio Kosovës se kanë aplikuar online, por që të hollat nuk iu kanë rimbursuar ende nga Ministria e Arsimit  dhe se nuk i kanë blerë ende librat për fëmijët e tyre, sepse nuk kanë mundësi.

“Ka aplikuar çika po paret si kanë dalë ende, kështu që s’kam pasur mundësi me ia ble librat, veç një fletore ia kam ble, asgjë tjetër. Librat si kanë hiq, s’kemi qysh m’i ble, paret nuk na i kanë qitë. Po, kemi aplikuar por mu s’ma pranoi sistemi aplikimin, nuk e di pse,  tani ka apliku burri. Paret nuk na i kanë rimbursuar, veç kur të na qesin, duhet me i ble. Djali sot në shkollë shkoi pa libra, bile më tha s’po shkojë hiq sot në shkollë”, tha ajo.

Ndërsa njëra nga banoret e cila jeton në banesat sociale në lagjen “Fusha e Pajtimit”, në  kushte anonimiteti, i tha Radio Kosovës se ka familje që ka katër fëmije në shkollë, dhe janë me gjendje të rëndë sociale dhe nuk kanë mundësi t’ua blejnë fëmijëve librat. Ajo i bëri apel Ministrisë se Arsimit që t’i këtë parasysh familjet me nevojë dhe t’ua bëjë një zgjidhje fëmijëve të këtyre familjeve.


MË SHUME NGA Kosovë