Malishevë, përkrahen 50 fermerë dhe 10 bletarë
RTKlive
Komuna e Malishevës dhe Qatar Charity, në kuadër të realizimit të programit të përbashkët në bujqësi, sot kanë nënshkruar kontrata me 50 fermer lokal, për ndërtimin e serrave, si dhe me 10 bletarë të cilët përkrahen me bletë dhe mekanizëm përcjellës.
Në këtë ceremoni mori pjesë edhe i pari i Komunës së Malishevës, Ekrem Kastrati, i cili tha se “baza e zhvillimit ekonomik është bujqësia, prandaj edhe jemi të orientuar në zhvillimin e bujqësisë dhe punimin e tokës sonë të mirë”.
Në këtë ceremoni të nënshkrimit të kontratave me 50 fermerë për ndërtimin e 50 serrave dhe 10 bletarëve, bashkë me kryetarin Kastrati, ishte edhe drejtori komunal për bujqësi, Sylë Dukolli dhe zyrtari i Qatar Charity, Bujar Morina.
“Kam kënaqësinë sot të marrë pjesë dhe bashkë me ju në nënshkrimin e kontratave për ndërtimin e serrave. Ndihem mirë, sepse jo vetëm që po nënshkruajmë këto kontrata, por jam në mesin e njerëzve më punëtor, që e punojnë tokën tonë të mirë. Furnizimi i tregut me produkte vendore, është njëri prej qëllimeve tona kryesore, sepse prodhimet vendore janë më të shëndetshme, prandaj edhe do ta qojmë përpara këtë përkrahje, me program të avancuar të zhvillimit bujqësor, sepse bujqësia është baza për një zhvillim të qëndrueshëm ekonomik. Ju me punën tuaj që bëni, e zhvilloni familjen dhe komunën”, ka thënë mes tjerash kryetari Kastrati.























