Memorandum Mirëkuptimi për rritjen e ndërgjegjësimit ndaj kafshëve
E. Hoti / RTKlive
Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit dhe organizata Joqeveritare Vier Pfoten Kosova dhe Fondacioni për të Drejtat e Kafshëve kanë nënshkruar memorandum mirëkuptimi për rritjen e ndërgjegjësimit për mirëqenien e kafshëve dhe mbrojtjen e mjedisit .
Koordinimi i përpjekjeve për të shumëfishuar ndikimet e veprimeve, masave dhe projekteve të ndërmarra për të rritur ndërgjegjësimin e publikut për tema si mirëqenia e kafshëve dhe mbrojtja e mjedisit, është qëllimi i Memorandumit të Mirëkuptimit të nënshkruar.
Sipas MASHTI-t, përmes këtij Memorandumi synohet të ndihmohen aktivitetet edukative shkollore dhe jashtëkurrikulare, që gjeneratat e reja të jenë shumë më të ndërgjegjësuara për mjedisin, kafshët e egra, kafshët shoqëruese dhe qentë endacakë.
“Palët nënshkruese të Memorandumit janë zotuar të bashkëpunojnë për ofrimin e sesioneve edukative dhe trajnuese mbi tema të mirëqenies së kafshëve dhe edukimit mjedisor në shkolla, si dhe jashtë objekteve shkollore”, thuhet në njoftim.
Ndër të tjera, Memorandumi synon identifikimin e zgjidhjeve potenciale afatgjata për të përmirësuar edukimin në lidhje me mirëqenien e kafshëve, mbrojtjen e mjedisit, dhe shmangien e rrezikut potencial për fëmijët dhe qytetarët nga kafshët endacake.























