MASHTI u ofron ndihmë komunave për subvencionim për libra
Ardiana Hajzeri/ RTK-Radio
Shumë prindër po vazhdojnë të përballën me vështirësi, në furnizimin me tekste shkollore për fëmijët e tyre si pasojë e mungesës së mjeteve financiare.
Drejtues të institucioneve arsimore theksojnë se shumë nxënës ende nuk kanë arritur t’i sigurojnë tekstet për fëmijët e tyre.
E në anën tjetër MASHT-i nga java tjetër do të ofrojë ndihmë në të gjitha komunat për ata të cilët nuk kanë aplikuar ende për subvencionim.
Pas vendimit të Ministrisë së Arsimit që këtë vit shkollor prindërit të sigurojnë tekstet shkollore për fëmijët e tyre dhe pastaj të rimbursohën, shumë prindër kanë hasur në vështirësi të shumta për sigurimin e teksteve.
Ata i thanë Radio Kosovës së një pjesë e tyre ende nuk janë rimbursuar nga ministria dhe se shumica e prindërve janë detyruar të vizitojnë shumë librari, me dhjetëra herë, pasi nuk kanë arritur të gjejnë të gjitha tekstet në të njëjtën kohë.
“Që njëzetë librari jam duke i vizituar, se jo duhet tekstet e kësaj shtëpie botuese jo asaj. Të hollat ende nuk na kanë dalë dhe deri sa të na dalin na kemi të drejtë t’i dërgojmë fëmijët pa libra në shkollë. Ende as çantën as fletorët nuk ia kemi blerë se çfarë krize. Prej librarisë erdha. Jo nuk i gjeta krejt librat. Ka mungesë të teksteve”.
Se shumë prindër janë duke u përballur me vështirësi në sigurimin e teksteve shkollore për fëmijët e tyre e thotë edhe drejtoresha e arsimit në Komunën e Gjakovës, Eranda Kumonva. Ajo tha se në këtë komunë rreth dyzet për qind e nxënësve nuk kanë arritur t’i kompletojnë tekstet shkollore.
“Nga klasa e parë deri në klasën e pestë kjo komunë ka mbi 5 mijë nxënës, ku 45 për qind e tyre janë pa tekste shkollore. Kështu që prindërit po ballafaqohen me mungesë të teksteve, mungesë të mjeteve financiare dhe sfida të tjera”, tha Kumonva.
Në lidhje më këtë çështje, këshilltarja politike për media në Ministrinë e Arsimit, Edona Kutleshi Maliqaj, i tha Radio Kosovës së deri më tani nga platforma e-Kosova kanë pranuar 177 mijë aplikime, ndërkaq janë procesuar për pagesë 130 mijë aplikantë.
Deri sot nga platforma eKosova kemi pranuar 177 mijë aplikime dhe platforma do të jetë e hapur deri në fund të muajit.
“Nga MASHT-i janë procesuar për pagesë 130 mijë aplikantë. Kjo procedurë po vazhdon dhe të gjithë aplikantëve do t’u transferohen mjetet. Jemi në koordinim edhe me institucionet relevante dhe bankat që ekzekutimi të bëhet në intervale sa më të shpejta. Platforma eKosova funksionon dhe ka 812 mijë përdorues të cilët marrin shërbime. Ndër shërbimet e tjera është dhe moduli për tekstet dhe materialet shkollore, aplikimi për të cilin zgjat shumë pak dhe është shumë i thjeshtë, madje ne kemi publikuar edhe manualet e aplikimit. Shërbimi për mbështetje në eKosova ofrohet nga Agjencia e Shoqërisë së Informacionit e cila po vazhdon të ofrojë mbështetje në funksionimin e platformës Kosova”, tha Kutleshi Maliqaj.
Ndër të tjera, Ministria e Arsimit ka bërë të ditur se nga java e ardhshme do të ofrojnë edhe asistencë fizike nëpër të gjitha komunat, për të gjithë ata të cilët kanë pasur vështirësi të aplikojnë për rimbursim të mjeteve shkollore.























