Banorët e fshatit Pacaj të Gjakovës ankohen për rrjet të vjetruar elektrik
Islam Haxhiu/ RTK
Banorët në fshatin Pacaj të Gjakovës, ankohen se rrjeti i vjetruar energjetik po u shkakton shumë probleme. Në KEDS deklarojnë se kanë investuar në rrjetin e shpërndarjes, të vjetër 50 vjet.
Rrjeti i stërvjetruar elektrik, dhe për më keq i shpërndarë përgjatë një tereni malor në fshatin Pacaj të Gjakovës, tash e 50 vjet, po bën që banorët e këtushëm në vazhdimësi të kenë probleme të mëdha.
Sa herë që fryn erë dhe moti është i paqëndrueshëm ne kemi prishje të pajisjeve teknike të amvisërisë thonë ata.
Si pasojë e këtij rrjeti, para dy viteve mua më është djegur edhe shtëpia thotë Sami Idrizi nga ky fshat.
E në anën tjetër zyrtarët e KEDS-it përmes një përgjigje me shkrim thonë për RTK se në rajonin e Gjakovës është trashëguar një rrjet elektroenergjetik shpërndarës në të cilin nuk është investuar me dekada.
Megjithatë, KEDS-i deklaron se ka investuar në mirëmbajtjen e rrjetit në fshatin Pacaj, i cili ka qenë në gjendje më të rëndë, duke ndërruar shtylla elektrike dhe përçues elektrikë, sipas nevojës.
Ndryshe, edhe në fshatra të tjera të komunës së Gjakovës rrjeti i vjetruar elektrik vazhdimisht po e vështirëson furnizimin me energji elektrik, sidomos gjatë periudhës dimërore.























